75 Mall Live Search
14:08 / E Mërkurë, 24 Dhjetor 2025 / P M

Dogana “tregon dhëmbët” karshi kontrabandës, tregojnë statistikat

Kosova ka shënuar rritje të ndjeshme të eksporteve, të cilat janë dyfishuar në krahasim me vitet paraprake. Këto të dhëna u bënë të ditura nga drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, gjatë konferencës përmbyllëse të Doganës së Kosovës, e mbajtur sot, së bashku me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati.

Sipas Llugaliut, eksportet e Kosovës kanë shënuar rritje të konsiderueshme drejt disa vendeve kryesore partnere. Shqipëria kryeson listën me 157 milionë euro eksporte, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 136 milionë euro, Gjermania me 106 milionë euro, Zvicra me 100 milionë euro dhe Serbia me 60 milionë euro.

Nga ana tjetër, importet vazhdojnë të dominohen nga disa tregje të mëdha. Gjermania kryeson me importe në vlerë prej 965 milionë euro, e ndjekur nga Turqia me 903 milionë euro, Kina me 892 milionë euro, Italia me 359 milionë euro dhe Maqedonia e Veriut me 344 milionë euro.

Në konferencë u theksua se këto shifra pasqyrojnë forcimin e aktivitetit tregtar dhe rritjen e eksporteve të Kosovës, si rezultat i punës së Doganës së Kosovës dhe bashkëpunimit institucional.

Ndërsa ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se shteti vazhdon të jetë pa kompromis sa i përket luftës kundër kontrabandës së mallrave. Ai theksoi se është shtuar kontrolli në të gjithë vendin, si dhe është forcuar mbikëqyrja doganore.

Sipas Muratit, Dogana e Kosovës është pajisur me pajisje moderne për skanim dhe detektim të mallrave, çka ka ndihmuar në zbulimin e mallrave të fshehura në vende ku, siç u shpreh ai, “nuk ta merr as mendja”. Falë përdorimit të teknologjisë, çështja e kontrabandës është reduktuar në minimum.

Ministri në detyrë foli gjithashtu për zhvillimet ekonomike në veri të vendit, duke theksuar se bizneset e hapura në këtë pjesë janë të fiskalizuara dhe se shteti ka ofruar subvencione, duke ndikuar drejtpërdrejt në hapjen e vendeve të reja të punës. Sipas tij, janë hapur rreth 2 mijë vende të reja pune.

Murati bëri të ditur se masat lehtësuese për bizneset në veri të vendit do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, duke shtuar se tashmë janë hapur edhe biznese të reja, përfshirë zinxhirë tregtarë, të cilët kanë shtrirë aktivitetin e tyre edhe në këtë pjesë të Kosovës.

Më poshtë videoja me detaje…