75 Mall Live Search
15:17 / E Premte, 12 Shtator 2025 / P M

Dogana zbulon substanca narkotike në Vermicë, arrestohet një person

Më datë 11 shtator 2025, rreth orës 09:30, në pikën kufitare në Vërmicë, gjatë kontrolleve rutinore zyrtarët doganorë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe njësinë K9, kanë selektuar për kontroll të detajuar një automjet me targa të huaja që po hynte në Kosovë.

Gjatë kontrollit, në automjet janë gjetur një grinder (pajisje për bluarje marihuane) dhe një kuti me filtra OCB (Slim Premium Filters), të cilat ngritën dyshime për përdorim të mundshëm të substancave narkotike.

Pas kontrollit fizik të udhëtarëve, në trupin e njërit prej tyre është zbuluar një pako cigaresh ku brenda saj u gjetën katër (4) qese plastike me substancë narkotike marihuanë.

Për rastin është informuar Prokuroria kompetente dhe njësia për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve (DHTN) në Prizren, të cilët kanë marrë në dorëzim të dyshuarin dhe dëshmitë për veprime të mëtejshme ligjore.

Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuara në parandalimin e trafikimit të substancave narkotike, duke kontribuar në garantimin e sigurisë së kufijve, rendit publik dhe mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve të Republikës së Kosovës.