20:27 / E Diele, 28 Nëntor 2021 / AR

Doktoresha që zbuloi Omicronin shpjegon simptomat e variantit të ri

Omicron, varianti i ri i koronavirusit që Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka cilësuar si “shqetësues”, është shpjeguar nga Angelique Coetzee, kreu i Shoqatës së Mjekëve të Afrikës së Jugut dhe doktoresha që njoftoi autoritetet për këtë variant të ri.

Sipas saj, Omicron shfaq simptoma “jo të zakonshme, por të lehta”. Coetzee sqaroi se pacientët e saj me këtë variant ndjejnë lodhje ekstreme, por asnjëri prej tyre nuk ka humbur nuhatjen apo shijen.

“Simptomat janë ndryshe nga ato me të cilat jemi mësuar deri tani, por edhe më të lehta nga ato që kemi trajtuar. Po e kalojnë lehtë sëmundjen dhe simptomat më të zakonshme janë dhimbjet e trupit dhe lodhja”, u shpreh Coetzee për “The Telegraph”.

“Mund të kenë edhe pak kollë, por asgjë më shumë”, shtoi doktoresha afrikano-jugore.

Ajo shtoi se më të kërcënuar nga varianti i ri Omicron janë meshkujt dhe personat e pavaksinuar.

“Ajo që na shqetëson për momentin janë vetëm të rriturit e pavaksinuar. Nëse nuk vaksinohen, variantin e ri mund ta kalojnë në formë të rëndë”, theksoi Coetzee.