21:21 / E Hënë, 09 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Doktoresha vjedh foshnjën e porsalindur, ia jep tezes së saj që nuk kishte fëmijë

Një mjeke është arrestuar në Pakistan me akuzën se vodhi një foshnje për t’ia dhënë tezes së saj që nuk kishte fëmijë.

Vajza e vogël u mor menjëherë pas lindjes në një spital në Balochistan, në jug-perëndim të vendit.

Por fillimisht familja nuk ishte në dijeni të zhdukjes së fëmijës pasi mjekët nuk i treguan se nëna lindi binjakë.

Gjithçka u mor vesh kur nëna u zgjua dhe pyeti ku ishte vajza tjetër, tha kunati i saj Abdul Hamid për BBC News.

Hamid e kishte dërguar nënën Jamila Bibi në spitalin në Loralai.

Pas lindjes, familjes së Jamilas ju dorëzua vajza e vogël dhe i thanë ta merrnin në shtëpi pasi ishte bërë më mirë.

Megjithatë, nëna qëndroi gjysmë e ndërgjegjshme për dy ditë dhe foshnja me të cilën u kthye në shtëpi vdiq.

Pasi mori veten, ajo zbuloi diçka që tronditi gjithë familjen.

Jamila pyeti ku ishte vajza tjetër dhe askush nuk kishte një përgjigje.

Pasi u ngrit një padi në polici, u arrestua mjekja që qëndroi në detyrë në dhomën e lindjes kur erdhën në jetë binjaket.

Menjëherë mjekia i dërgoi oficerët tek foshnja.

Ajo ishte ndihmuar nga dy kolege të sajat për të nxjerrë fëmijën nga spitali dhe  ja dha tezes së saj që kishte 17 vite e martuar por s’kishte lindur akoma fëmijë.

Policia arrestoi katër gratë, ndërsa familja u ribashkua me foshnjën.