75 Mall Live Search
22:02 / E Martë, 08 Korrik 2025 / Burim

Dokumente dhe shkrime të reja nga laptopi i Bllacës: Çka shkruante agjenti i BIA-s për strukturën e UÇK-së?

Në emisionin “Debat Plus” janë publikuar dokumente dhe dëshmi të nxjerra nga laptopi i Nazim Bllacës, dëshmitar bashkëpunues i EULEX-it dhe person që, sipas informacioneve, ka pasur lidhje edhe me strukturat serbe të sigurisë.

Dokumentet përmbajnë informacione të ndjeshme që lidhen me strukturën komanduese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë vitit 1998, operacione konkrete ushtarake, si dhe dëshmi për ngjarje që përfshijnë rrëmbime dhe vrasje të supozuara.

Në dy dokumente të datës 11 qershor dhe 12 nëntor 1998, paraqitet struktura drejtuese e UÇK-së, ku figurojnë emra të njohur si:

Azem Syla – Komandant i Përgjithshëm i UÇK-së pas epopesë së Jasharajve

Sokol Bashota – Zëvendëskomandant

Rexhep Selimi – Inspektor i Përgjithshëm

Hashim Thaçi – Kryeshef për Drejtorinë e Informimit

Kadri Veseli – Kryeshef për Drejtorinë e Shërbimit Informativ

Jakup Krasniqi – Kryeshef për Drejtorinë e Pushtetit Civil dhe zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm

Lahi Brahimaj – Kryeshef për Drejtorinë e Ekonomisë dhe Financave

Xhavit Haliti – Kryeshef për Drejtorinë e Logjistikës dhe Furnizimit

Adem Grabovci dhe Fatmir Limaj, me funksione të tjera të larta në strukturën komanduese

Sipas emisionit, këto dokumente ishin të ruajtura në një email personal të Bllacës dhe bazohen pjesërisht në librin “Kthesa e Madhe” të Jakup Krasniqit.

Gjithashtu, u prezantua edhe një dokument tjetër i rëndësishëm që përmban një skicë të një operacioni ushtarak të zhvilluar më 9 tetor 1998, në rrugën Godanc–Shtime. Në të përmenden me emër pjesëmarrësit në këtë aksion, shumica prej tyre pjesëtarë të Policisë Ushtarake të UÇK-së.

Në dokumentacionin e publikuar përfshihen gjithashtu të dhëna për linjën komanduese të zonës, ku figurojnë:

Fatmir Limaj – Komandant zone

Haxhi Shala – Komandant brigade

Ramiz Qiriqi dhe Elez Durmishi – zyrtarë të tjerë në strukturat ushtarake.