75 Mall Live Search
14:55 / E Martë, 23 Prill 2019 / indeksADMonline

Dokumentet që rrezikojnë certifikimin e Listës Serbe për zgjedhje

Përmbajtja e dokument-dorëheqjeve të ish-kryetarëve të komunave veriore, të cilët lëshuan pozitat e tyre në fund të nëntorit të vitit të kaluar, u bë temë diskutimi në mbledhjen e sotme të KQZ-së.

Mospajtimet mes anëtarëve të këtij institucioni, sa i përket certifikimit ose jo të Listës Serbe, bënë që mbledhja e sotme të ndërpritet për një afat të pacaktuar.

Fakti që në dorëheqjet e tyre ish-kryetarët i ishin drejtuar Kosovës me termin “Kosova e Metohija”, ka bërë që Lëvizja Vetëvendosje të mos mbështes certifikimin e kandidatëve të LS-së për zgjedhjet e 19 majit. Përfaqësuesit e KQZ-së nga LVV kanë kërkuar nga Lista Serbe që të distancohet nga këto dokumente dhe ta pranojë rendin ligjor dhe kushtetues në Kosovë.

Si një prej arsyeve të dorëheqjes, ish-kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit e Zveqanit, kanë përmendur taksën prej 100 për qind të vënë ndaj produkteve serbe, ndërkohë pikërisht në këtë pikë ata i janë referuar Kosovës me termin “Kosovë e Metohi”, shkruan zeri.

“Për shkak të futjes së taksave anti-civilizuese, të paligjshme dhe jonjerëzore prej 100% që bllokuan furnizimin normal dhe shpërndarjen e mallrave nga Serbia qendrore në Kosovë dhe Metohi, të cilat kërcënuan të drejtën për jetë, trajtim mjekësor, informim publik, mbijetesë dhe qëndrim në vatrat e tyre dhe që provokojnë krizën humanitare në shkallë të gjerë”, thuhet në pikën 1 të arsyetimit të letërdorëheqjes së ish-kryetarëve, derisa dokumentet e plota mund t’i gjeni në vijim.

LEXO EDHE: LVV paralajmëron Listën Serbe se do ta dërgojë në Kushtetuese

Image

Ndaj, LVV ka vendosur që të mos votojë për certifikim të LS-së për të marrë pjesë në zgjedhjet e 19 majit, derisa ky subjekt nuk ofron dëshmi shtesë se mbështet rendin kushtetues në Kosovë.