75 Mall Live Search
13:08 / E Premte, 30 Janar 2026 / P M

Dollari i dobët godet Europën/ Kërkohet ndërhyrja e Bankës Qendrore Europiane, do prekë rritjen ekonomike

Dobësimi i vazhdueshëm i dollarit, i cili ka humbur rreth 10 për qind të vlerës gjatë vitit 2025 dhe edhe 2,6 për qind të tjera që nga fillimi i vitit 2026, duket se po ndikon drejtpërdrejt në ekonominë europiane.

Monedha e përbashkët është forcuar ndjeshëm ndaj monedhës së gjelbër, duke arritur nivelin 1,20 dollarë për herë të parë që nga viti 2021. Sipas analistëve, një nga arsyet kryesore të rënies së dollarit është pasiguria e investitorëve për shkak të politikave të paparashikueshme të presidentit amerikan Donald Trump.

Megjithatë, ekziston edhe mendimi se dobësimi i dollarit është i qëllimshëm, pasi një monedhë më e lirë e bën eksportet amerikane më konkurruese. Vetë Trump ka deklaruar se nuk shqetësohet për një dollar të dobët, duke e konsideruar këtë situatë pozitive. Forcimi i euros konsiderohet se ka pasoja të përziera për eurozonën. Nga njëra anë, importet bëhen më të lira, duke ulur çmimet për konsumatorët europianë.

Nga ana tjetër, eksportet e BE-së humbasin konkurrueshmërinë, gjë që mund të dëmtojë prodhuesit dhe rritjen ekonomike. Sipas ekspertëve, nëse kursi euro-dollar mbetet në nivelin 1,20, rritja ekonomike e eurozonës mund të jetë rreth 0,2 për qind më e ulët këtë vit, krahasuar me një kurs më të favorshëm prej 1,16 dollarësh. Sidomos sipërmarrjet europiane që eksportojnë në SHBA rrezikojnë të preken nga kjo situatë. Kjo ka hapur debatin nëse Banka Qendrore Europiane duhet të ndërhyjë.

Disa zyrtarë të bankës qendrore e konsiderojnë forcimin aktual të euros si të moderuar dhe jo alarmant. Megjithatë, nëse trendi vazhdon, BQE-ja mund të shqyrtojë uljen e normave të interesit për të frenuar rritjen e mëtejshme të euros.