Donika Gërvalla e lëshon dorën me shpenzime, por i fshehë kontratat

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e udhëhequr nga Donika Gërvalla, është gjobitur në vlerë prej 10 mijë euro nga Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), për mos dhënie në qasje në dokumente zyrtare dhe për mos transparencë. Po ashtu nënshkruar kontratat publike milionëshe dhe nuk i ka deklaruar fare. Ndërsa fondet dedikuara për mësimdhënësit “zhduken”.
Në raportin vjetor të kontratave të nënshkruara publike për vitin 2022, nuk ishin paraqitur kontratat për blerjen e ambasadës në SHBA në vlerë 4,463,860 euro, dhe për blerjen e veturës për ambasadën në Angli në vlerë 50,463 euro.
Këto parregullsi janë identifikuar në raportin vjetor të Zyrës Kombëtare të Auditorit për MPJD-në.
“Në 32 procedura të planifikuara të prokurimit, 13 prej tyre nuk ishin realizuar, ndërsa 15 procedura ishin realizuar jashtë planit të prokurimit për të cilat ishte njoftuar edhe Agjencioni Qendror i Prokurimit, (shumica prej tyre ishin në vlerë minimale), që tregon për një planifikim të dobët.
Ndikimi Mos paraqitja e aktiviteteve të prokurimit në raportin e kontratave të nënshkruara nuk pasqyron një gjendje reale të tyre, po ashtu mungesa e një planifikimi të mirë të nevojave ka sjellur në prokurime në procedura të prokurimeve me vlerë minimale e cila mund të ndikoj në arritjen e qëllimeve të ministrisë”, thuhet në raport.
Ndërsa për mos transparencë AIP i kishte shqiptuar gjobë MPJD-së në vlerë 3,000 euro për heshtje ndaj kërkesës për qasje në dokumente dhe 10,000 euro për pamundësinë e realizimit të të drejtës për qasje në dokumente publike. Mundësia e pagesës ishte që nëse bëhet brenda 15 ditëve të paguhet gjysma apo 50% e shumës së paraparë për kundërvajtjen e kryer. MPJD me datë 08.08.2022 kishte kryer pagesën në vlerë prej 6,500 euro.
MPJD me gjithë paralajmërimin e AIP që kishte nuk ka ofruar ndonjë arsyetim të shkruar për heshtje dhe refuzim të kërkesës. Transparenca ndaj qasjes në dokumente publike ishte shkaktar i kësaj gjobe.
Sipas ZKA-së, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Baden – Württemberg’ut – Gjermani çdo vit jep donacion për mësimdhënësit e mësimit plotësues të gjuhës amtare, fond të cilin e shpërndan kryesisht përmes misioneve konsullore të shteteve përkatëse.
Nga regjistrimi i shpenzimit të donacionit në SIMFK në vlerë 29,149 euro me datë 20.06.2022, identifikuam se shuma prej 6,972 euro ishte tërhequr kesh nga banka në emër të mësimdhënësve, por nuk kishte dëshmi se mjetet iu janë shpërndarë mësimdhënësve.
Kjo kishte ndodhur për shkak të menaxhimit jo adekuat nga shefi i misionit dhe mungesës së kontrolleve të brendshme nga ana e MPJD-së.
“Ndikimi Mungesa e dëshmive për shpërndarjen e mjeteve te personeli arsimor rrezikon që një numër i mësimdhënësve të mos përfitojnë nga ky donacion. Po ashtu, menaxhimi jo i mirë i donacionit mund të ndikoj në aktivitetet arsimore duke reflektuar në mos arritjen e qëllimit për të cilin është dhënë ky donacion”, thuhet në raport. /Indeksonline/