Donika Kadaj kërkon ndryshimin e pagës minimale dhe bazën e pagesave për praktikantët
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj Bujupi ka propozuar një sërë ndryshimesh në Ligjin për Paga.
Në fjalimin e saj para deputetëve të Kuvendit, ajo ka thënë se është shumë e rëndësishme që tu jepet mbështetja e duhur punëtorëve të sektorit privat.
Kadaj Bujupi ka kërkuar ndryshimin e pagës minimale në vend dhe bazën e pagesave për praktikantët.
Më poshtë ju sjellim të plotë dhe pa ndërhyrje fjalimin e saj.
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës,
Të nderuar qytetarë dhe punëtorë të vendit.Është për të ardhur mirë që më në fund çështjet që ndërlidhen me të drejtat e punëtorëve, sidomos të atyre në sektorin privat, kanë zënë vend në atë që njihet si agjendë publike. Dhe kjo po ndodh jo me pahir, sepse punëtorët e sektorit privat tash e sa vite vërtetë i kanë të pafavorshme kushtet e punës.
Ndonëse ekziston ligji i punës, kontrata kolektive, ligji për për organizimin sindikal dhe Inspektoriati i Punës, instanca këto që paramendohet të mbrojnë punëtorët, prapë se prapë punëtorët nuk qëndrojnë mirë. Dhe kjo, padyshim se është për të ardhur keq.Punëtorët me kushtet më të rënda në sektorin privat ka rezultuar se janë punëtorët e sektorit të ndërtimtarisë. Me lehtë nuk janë duke kaluar as punëtorët e marketeve të e mëdha e aq më pak punëtorët e pastrimit dhe ata të tekstilit.
Sa për kuriozitet, në këto dy sektorët e fundit pothuajse shumica e punëtorëve janë gra dhe trajtimi i tyre nuk është, le të themi së buti, minimalisht korrekt.Ndonëse shqetësimi i përhershëm i punëtorëve është paga në shpërputhje me fuqinë e shpenzuar punëtore (vlerën e prodhuar nga puna e tyre), punëtorët e sektorit privat, respektivisht punëtorët e sektorëve që përmenda më lartë, përballen me probleme siç janë orari i gjatë, ekspozimi ndaj rreziqeve në vendin e punës, informaliteti ose, me raste, mosrespektimi i kontratës së punës.
Vetëm vitin e kaluar në vendin e punës kanë vdekur rreth 23 punëtorë, disa prej të cilëve kanë qenë punëtorë të ndërtimtarisë. Janë lënduar me qindra syrësh dhe shumë raste nuk janë raportuar. Është koha të parandalojmë këtë fenomen, sepse disa punë (sidomos ajo e sektorit të ndërtimtarisë) rrezikon që të transferohet në kasaphane. Disa tjera rrezikojnë të të gjymtojnë, jo vetëm fizikisht.Jeta e njeriut duhet të jetë prioritet i secilit biznes, sepse punët vijnë e shkojnë.
E kemi parë videon e një punëtori të ndërtimtarisë që qendroi i varur për rreth një orë, pasi që trari mbi të cilin punonte ishte shembur. Sipas raportimeve, atë e kishte shpëtuar instinkti, meqë në proces të shembjes ai kishte arritur të ndërrojë lidhjen e litarit të sigurisë. Kemi dëgjuar se si një punëtor tjetër kishte mbetur i varur në shtyllë elektrike sepse e kishte zënë korrenti në vendin e punës. Këtë nuk mundi ta shpëtoi instinkti. Punëtorët e tekstilit punojnë nën presion të jashtëzakonshëm psikologjik, edhe jashtë orarit, sepse duhet ta arrijnë afatin e caktuar për dorëzimin e punëve të kontraktuara nga pronari me pronarët tjerë. Ka raste që punëtorët e sektorit të pastrimit nuk kanë kontrata dhe i ekspozohen kemikaleve pa asnjë mjet mbrojtës.
Marketet e mëdha, i kanë ndarë pozitat e punës në baza gjinore, duke i forcuar kështu edhe më shumë disa stereotipe gjinore në vend. Kjo listë mund të shkojë në
pafundësi, sepse ka shumë shkelje të të drejtave të punëtorëve. Fatkeqësisht, disa tjera fashiten sapo të ndodhin.Duke pasur parasysh që në Kosovë paga minimale nuk i mbulon as shpenzimet bazike dhe nuk ofron as kushtet minimale për jetesë, ajo domosdo duhet të rritet.
Që nga viti 2011 nuk ka pasur as ngritje të pagës minimale e as diskutim për këtë çështje. Këshilli Ekonomiko-Social i Kosovës, ndonëse i obliguar për të dhënë propozime konkrete çdo vit, ka vite të tëra që nuk është funksional.Sidoqoftë, shumë mirë që ka ardhur dita që të dalim me propozime konkrete për rritjen e pagës minmale dhe për përmirësimin e kushteve të punëtorëve, sidomos të atyre në sektorin privat.Si hap fillestar sa i përket pagës minimale duhet të ndryshohet modaliteti. Paga minimale duhet të njihet si pagesë minimale për orë pune.
Pra, kufiri minimal i pagesës të ketë për njësi pagesën e orës së punës. Me ndryshimin e modalitetit të pagës minimale, pra që kufiri minimal i pagesës të zhvendoset në orën e punës, do të minimizohen manipulimet me kontratat e punës, do të nxitet respektimi i pagave shtesë, ndërsa punëtorëve do t’iu mundësohet puna fleksibile përgjatë ditës.
Në anën tjetër, Këshilli Ekonomiko-Social i Kosovës duhet të rrisë përgjegjësinë dhe të ndryshojë metodologjinë e përcaktimit të pagesës së orës së punës. Ky organ duhet të dalë së paku dy herë në vit me propozime për pragun e pagesës për orë pune, ndërsa si kritere duhet të merren parasysh: Çmimet e kostos së jetesës dhe nevojat e punëtorëve e të familjeve të tyre.