Donika Kadaj nga SHBA: Kosova po konsolidohet si partnere strategjike në arkitekturën ndërkombëtare të sigurisë
Këshilltarja e presidentes së Kosovës Donika Kadaj-Bujupi, e ka quajtur historike pjesëmarrjen e Vjosa Osmani në takimin inaugurues të Bordit të Paqes në Uashington.
Sipas saj, kjo ngjarje shënon një kapitull të ri në konsolidimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.
Në një përgjigje për IndeksOnline, Kadaj-Bujupi ka deklaruar se pjesëmarrja e presidentes Osmani në këtë forum përfaqëson afirmimin e subjektivitetit shtetëror të Kosovës në arenën globale, si dhe rritjen e rolit dhe peshës së saj në proceset ndërkombëtare të paqes dhe sigurisë.
Sipas saj, ftesa nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump, përbën dëshmi të qartë të rritjes së kredibilitetit dhe besueshmërisë ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, si dhe vlerësim për lidershipin e presidentes Osmani në skenën ndërkombëtare.
“Kjo pjesëmarrje është vlerësim i drejtpërdrejtë i rolit konstruktiv të Kosovës si faktor stabiliteti dhe sigurie në rajon, duke dëshmuar se vendi ynë kontribuon në paqe dhe bashkëpunim, e jo në tensione”, tha ajo.
Kadaj-Bujupi ka bërë të ditur se në këtë platformë globale, Kosova synon të përfaqësohet me dinjitet dhe vizion, duke artikuluar qartë interesat strategjike, prioritetet shtetërore dhe orientimin e palëkundur euro-atlantik.
Ajo ka shtuar se fakti që Kosova po trajtohet si partnere e besueshme është një mesazh i fuqishëm politik se vendi është pjesë e arkitekturës ndërkombëtare të sigurisë dhe paqes, duke u konsideruar si partnere e qëndrueshme dhe e përgjegjshme.
Sipas saj, ky forum krijon gjithashtu hapësira konkrete për dialog diplomatik, përfshirë edhe me shtete që ende nuk e kanë njohur Kosovën, duke hapur rrugë për afrime të reja dhe avancim të mëtejmë të njohjeve.
Tutje, Kadaj-Bujupi tha se kjo pjesëmarrje forcon pozitën ndërkombëtare të Kosovës përballë sfidave rajonale, rrit mbështetjen politike dhe diplomatike, si dhe ka ndikim të drejtpërdrejtë pozitiv në imazhin e vendit, duke e pozicionuar Kosovën si kontribuese serioze në paqen dhe stabilitetin global.
“Mesazhi për qytetarët është i qartë: pavarësisht madhësisë gjeografike, Kosova trajtohet me respekt, dinjitet dhe barazi në tryezat më të rëndësishme vendimmarrëse ndërkombëtare”, tha ajo.
Kadaj-Bujupi ka folur edhe rreth mundësisë së rizgjedhjes së Vjosa Osmanit edhe për një mandat si presidente e Kosovës.
“Presidentja vazhdon të gëzojë bashkëpunim të fortë dhe konstruktiv me Qeverinë, dhe besimi i ndërsjellë ndërmjet institucioneve flet vetë. Aktualisht fokusi mbetet te përfaqësimi dhe rezultatet për Kosovën në arenën ndërkombëtare, ndërsa çdo hap formal do të vijë natyrshëm dhe në përputhje të plotë me proceset kushtetuese”, ka thënë ajo. /IndeksOnline/

