75 Mall Live Search
16:34 / E Hënë, 28 Korrik 2025 / Gj. Sh

Donnarumma drejt largimit nga PSG, dy klube futen menjëherë në garë për italianin

Portieri i njohur italian, Gianluigi Donnarumma, është pranë një ndarje surprizë nga Paris Saint-Germain.

Sipas burimeve pranë klubit francez, këtë javë pritet të mbahet një takim vendimtar mes palëve, ku do të diskutohet ndërprerja e bashkëpunimit, duke i hapur rrugë largimit të bujshëm të 26-vjeçarit nga “Parc des Princes”.

PSG nuk dëshiron të rrezikojë një tjetër verë pa përfitime financiare, ndaj është e vendosur ta nxjerrë Donnarummën në shitje gjatë merkatos aktuale. Kontrata e tij përfundon në verën e vitit 2026, por kampionët e Francës nuk janë të gatshëm të presin deri në vitin e ardhshëm dhe ta humbin me parametër zero.

Në garë për firmën e gardianit janë futur menjëherë Chelsea dhe Galatasaray. Blutë e Londrës kërkojnë një portier të kalibrit të lartë pas sezonit të paqëndrueshëm në këtë pozicion, ndërsa kampionët e Turqisë janë gati të bëjnë një ofertë joshëse për të siguruar shërbimet e Donnarummës dhe për ta bërë liderin e ri të skuadrës.

Lëvizjet e kësaj jave pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e portierit italian, i cili duket gjithnjë e më larg Parisit.

A do jetë kjo vera e madhe e transferimit të Donnarummës? Mbetet për t’u parë.