“Donte të bënte një film të fundit”, djali i Margarita Xhepës tregon pengun e nënës së tij

Është përcjellë të premten për në banesën e fundit ylli i kinematografisë shqiptare Margarita Xhepa.
Figurat të artit, politikës dhe qytetarë mes lotësh dhe lule në duar i dhanë lamtumirën ikonës së skenës së teatrit dhe filmit shqiptar, në ceremoninë e mbajtur në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Aktori i njohur dhe njëkohësisht djali i aktores së ndjerë Margarita Xhepa, i pikëlluar tha se nëna e tij kishte dëshirë të realizonte edhe një film tjetër.
“Mbylli jetën e saj në mënyrë normale ka të dhëna të fundit se problemet e karakterit të lodhshëm, lodhjet dhe mendojnë të vetën. Kishte një natyrë të çuditshme, madje kur binte biseda në momente të shkëputura, kishte vite që thoshte për skenën nuk kam fuqi, por për filmin kishte dëshirë të bënte edhe një. Filmi “Bolero në vilën e pleqve” përkon edhe me fundin e jetës së saj”, tha aktori Ndriçim Xhepa.
Aktoren Margarita Xhepa e nderoi dhe kolegia e saj Tinka Kurti, e cila me zërin që i dridhej tha:
“Për mua ka qenë një njeri i madh i madhërueshëm dhe për popullin”, tha Tinka Kurti.
Figura të tjera të njohura të artit me lot në sy kujtuan momentet me Zonjën e Madhe të Teatrit .
“Është një humbje e jashtëzakonshme .Margarita është simbol i mirësisë i dashurisë, i bukurisë njerëzore. I gjithë rrugëtimi i saj, krijoi imazhin e gruas në të gjitha dimensionet”, u shpreh Luiza Xhuvani.
“U shkëput si një tërmet i madh. Ishte një mal i madh artistik, do të jetë e pazëvendësueshme në radhët tona. Kemi xhiruar një film që nuk ka dalë akoma. Titulli i filmit është ‘Vdekja le të presë’, por Margarita nuk priti dot. Prehu e qetë zonjë e madhe, do ecim përpara në gjurmët e tua”,-tha Luftar Paja.
“ Margarita nuk ka njohur ndonjë fjalë të keqe në konceptin e saj, ajo dinte të shpërndante vetëm dashuri, njeri i madh i jashtëzakonshëm”, Mevlan Shanaj.
“Mbretëroi me kurorën brilante të artistes simbol shqiptare. E kishte emrin Margaritë, margaritar”, Timo Flloko.
“Është një humbje e madhe, që na ka lënë të zbrazët dhe bosh, sot dhe shumë kohë të tjera me vonë”, tha Yllka Mujo.
Aktorja e madhe u shua mëngjesin e 3 prillit në një spital në Tiranë, ndërsa trupi i saj do prehet në varrezat e Sharrës./euronews/