75 Mall Live Search
10:27 / E Martë, 21 Tetor 2025 / SH

Dorë për dore me gruan e tij Carla Bruni, Sarkozy shkon në burg për të vuajtur dënimin

Ish-presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, është paraqitur në burg të martën, pasi u dënua me pesë vjet burgim për çështjen e Libisë.

Sarkozy po mbahet në burgun e Parisit La Santé, i cili ka një krah për të burgosurit që kërkojnë mbrojtje të veçantë, siç janë personazhet e famshëm. Megjithatë, 70-vjeçari pritet të vendoset në një zonë veçanërisht të izoluar.

Për shkak të moshës së tij, ish-presidenti mund të kërkojë lirim me kusht menjëherë pas fillimit të dënimit për të vuajtur dënimin jashtë burgut.

Një rregull i ngjashëm zbatohet në Francë për të burgosurit e moshës 70 vjeç e lart. Gjyqësori duhet të vendosë për kërkesën brenda dy muajsh.

Kompleksi në ndërtesën QB4 përmban 19 qeli për të burgosur nën mbikëqyrje të veçantë. Burgu nuk e quan këtë një zonë VIP, por më tepër një “zonë për persona të cenueshëm”.

Këta janë të burgosur, siguria e të cilëve mund të rrezikohet nga kontakti me të burgosur të tjerë, për shembull, sepse janë të shquar ose çështja e tyre ka bërë bujë në media.

Ish-kreu i shtetit i tha gazetës “Le Figaro” se synon të marrë me vete dy libra për të lexuar “Konti i Monte Kristos” në një botim me dy vëllime dhe një biografi të Jezusit nga Jean-Christian Petitfils.

Ai gjithashtu synon të shkruajë një libër për kohën e tij pas hekurave; Sarkozy është tashmë autor i disa librave./Indeksonline/