Dorëheqja e Haradinajt, vendimi për zgjedhje në duart e Thaçit
Për herë të dytë, Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i tij i kryeministrit.
Në mars të vitit 2005 , Haradinaj kishte dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit pas aktakuzës së parë të ngritur nga Tribunali i Hagës.
Ndërsa, dje, për herë të dytë, tha dorëheqje për shkak të ftesës së Speciales për në Hagë.
Sipas njohësit të drejtës ndërkombëtare, Flamur Hyseni, nëse ka shumicë parlamentare aktive nga koalicioni qeverisës, mund të mandatohet kandidati i ri, për të formuar Qeverinë.
“Në aspekt juridik, nëse ka shumicë parlamentare aktive nga koalicioni qeverisës, mund të mandatohet kandidati i ri, për të formuar Qeverinë. Që do të thotë nuk është e domosdoshme të shpallen zgjedhjet e parakohshme”, ka thënë Hyseni.
Mirëpo, tashmë subjektet politike janë deklaruar se duan zgjedhje dhe jo qeveri teknike.
Sipas njohësit politik, Mazllum Baraliu, varianti i shkuarjes në zgjedhje është më i mirë, pasi do të bëhet verifikimi i vullnetit të plotë të votuesit për cilindo subjekt politik.
Ai për Indeksonline ka thënë se tani vendimin për zgjedhje mbetet në duart e Presidentit, Hashim Thaçi.
Pas shpërberjes së Kuvendit, hapen dyert që Presidenti Thaçi të shpall zgjedhjet sipas afatit kushtetues.
“Pasi partitë nuk duan qeveri teknike, atëherë do të mbahet një mbledhje e veçantë e parlamentit ku do të kërkohet dhe votohet shpërberja e parlamentit. Kjo më pas i hap dyert për presidentin që t’i shpall zgjedhjet e parakohshme brenda 45 ditëve, sipas afatit kushtetues”, ka thënë Baraliu.
Ai tutje ka thënë se Kosova po i vuan pasojat e votimit të ligjit për Specialen nga vet Kuvendi.
“Me keqardhje e kam pritur dhe jemi njoftuar për këto lajme të cilat, çdo gjë mund të jenë të mira dhe dobishme për Kosovën. Ky është si pasojë e një vendimi të gabuar dhe paprecedent të Kuvendit të Kosovës që miratoi ligjin për Gjykatën Speciale. Nuk është i njohur asnjë rast në botë që popujt që bëjnë luftë mbrojtëse për liri e pavarësi, të ju bëhet gjyq dhe çlirimtarët të cilët kanë luftuar për vendin e tyre, atdheun e tyre të gjykohen me një gjykatë të cilës nuk dihet as statusi, por që gjithsesi është e tillë që po e tregon strukturën dhe po bënë veprimet, që kanë pasoja të dëmshme për Kosovën. Vet Kuvendi e ka themeluar dhe pasojat po shihen tani”, ka thënë mes të tjerash Baraliu.
Sipas tij, më shumë ka gjasa për koalicione pas zgjedhore se para zgjedhore.
Ndërsa, dje lideri i LDK-së i pyetur se a pranon partia e tij qeveri teknike, ai përgjigjet duke thënë se është ofendim për ta.
“Asnjë qeveri se shohim si mundësi përpos asaj që del nga zgjedhjet e lira”, ka thënë Mustafa.
Kurse, lideri i VV-së, Albin Kurti, ka thënë se kurrë me të gatshëm se për zgjedhje s’kanë qenë.
“Kurrë më të gatshëm s’kemi qenë për zgjedhje, ne jemi opozita e vërtetë”, ka thënë ai.
Edhe Haradinaj në fjalimin e tij para gazetarëve kur njoftoi për dorëheqje tha se mandatin ia kthen popullit./Indeksonline/