20:38 / E Hënë, 23 Maj 2022 / AR

Dorëhiqet diplomati i lartë rus: Më vjen turp për vendin tim

Një diplomat rus, që shërben në misionin e përhershëm në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, njoftoi dorëheqjen si shenjë proteste kundër pushtimit të vazhdueshëm të Rusisë në Ukrainë, duke thënë “mjaft është mjaft”.

Unë kurrë nuk jam ndjerë kaq i turpëruar për vendin tim në 20 vite karrierë, shkruante Boris Bondarev në vendimin e tij. “Lufta agresive e nisur nga Putini në Ukrainë, dhe në fakt kundër gjithë Perëndimit, nuk është vetëm një krim kundër popullit ukrainas, por, ndoshta, krimi më i rëndë kundër popullit të Rusisë”.

Bondarev, i cili, bëhet diplomati më i lartë që ndërmerr një hap të tillë,  tha se ata që e konceptuan luftën donin vetëm një gjë, të qëndronin në pushtet përgjithmonë.

Në 20 vitet e shërbimit të tij, tha ai, niveli i gënjeshtrave dhe joprofesionalizmit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë “është rritur gjatë gjithë kohës” dhe, në vitet e fundit, është bërë “thjesht katastrofik”.

Në një intervistë për BBC pasi njoftoi vendimin ai tha se megjithëse dorëheqja e tij nuk do t’i ndryshonte gjërat, ai tha se “mund të jetë një tullë e vogël në murin më të madh që përfundimisht do të ndërtohej”.

I pyetur nëse beson se do të konsiderohet tradhtar, Bondarev tha: “Unë mendoj se ata tashmë po më konsiderojnë si të tillë“.