12:41 / E Premte, 17 Maj 2019

Dorëzohen në Prokurorinë Speciale edhe 11 padi kundër kriminelëve serbë

Zyra për mbledhjen dhe dokumentimin e dokumenteve të krimeve të luftës në Komunën e Gjakovës gjatë periudhës 1998-1999, ka dorëzuar sot në Prokurorinë Speciale padi kundër kriminelëve serb.

Shkendije Hoda, udhëheqëse e këtij grupi tha se sot kanë dorëzuar 11 padi të ngritura nga familjarët që kanë pësuar nga lufta në Kosovë.

Ajo ka treguar se këtë herë ka me tepër padi për vrasje, raporton Indeksonline.

“Kësaj herë kemi me tepër për vrasje. Dikund 60 padi janë për vrasje, ndërsa lëndë të tjera të përgjithshme. Që nga viti i kaluar e deri tani janë dorëzuar kemi sjell dikund 140 padi. Me 18 prill kemi nisur me kontigjenin e padive. Do të vazhdojmë të punojmë dhe të mundohemi që çdo banor i Komunës së Gjakovës t’i marrim dëshmitë dhe t’i sjellim këtu. Sa më shpejtë që nisin procedurat, aq më mirë”, ka thënë ajo.

Bashkangjitur padive të qytetarëve, janë dorëzuar dëshmitë– dokumentet e gjetura të policisë, ushtrisë dhe paramilitarëve serbë, të cilët kanë operuar në këtë komunë./Indeksonline/