17:11 / E Enjte, 25 Janar 2018 / indeksADMonline

Dorëzohet akademiku serb: Kosova është e humbur për Serbinë

Ish-kryetari i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, Nikola Hajdin tha se Kosova është e humbur për Serbinë.

“Kosova është një kauzë e humbur. Do të duhej që ky popull të mësohej me kohë se Kosova është e humbur, si fliste dikur Dobrica Qosiq.Cila Kosovë serbe? Si e mendoni ende Kosovën në Serbi? A mund ta paramendoni një komunë në Serbinë Qendrore, apo në Vojvodinë me kryetar shqiptar? Nuk mundeni, natyrisht, as unë”, tha ai.

Sipas tij,interesi i Serbisë është që të merret aq sa mund të merret nga Kosova.

Hajdini shtoi se në Kosovë jetojnë afro 100.000 serbë, përfshirë edhe ata serbë të cilët jetojnë në Terazijë e që shkojnë në Prishtinë me aeroplan.

“Pra 100.000 serbë mund të kenë të drejta aq sa mund të kenë në raport me 2 milionë shqiptarë. Nuk mund të presim diçka më shumë”, potencoi ai.

“Çfarë domethënie ka ky territor kur nuk ka më serbë? Nuk ekziston një vend i vetëm në Evropë që i takon pakicës. Për fat të keq, kjo është një realitet dhe fakt i egër: në Hungari jetojnë kryesisht hungarezë, në Poloni shumica e polakëve, ndërkaq në Kosovë shumica janë shqiptarë dhe nuk mund t’i kthejmë në serbë”, përfundoi Hajdin, raportojnë mediat serbe.