75 Mall Live Search
11:45 / E Enjte, 12 Mars 2020 / indeksADMonline

Dorëzohet kontingjenti i 14-të i padive, kundër kriminelëve serbë

Shoqata për krime lufte “Gjakova 98-99” dorëzoi sot kontingjentin e 14-të të padive kundër kriminelëve serbë në Departamentin për Krime Lufte në Policinë e Kosovës.

Shkëndije Hoda, përfaqësuese e kësaj organizate, tha se ky është kontingjenti i 14-të, që e dorëzojnë dhe se lidhet me datat 7, 8, 9 dhe 10 maj, që është kryer një luftim i ashpër në Komunën e Gjakovës.

“Janë datat 7, 8, 9 dhe 10 maj që është kryer një luftim jashtëzakonisht i ashpër në Komunën e Gjakovës, e që janë të vrarë dhe të ekzekutuar, të masakruar diku 97 qytetarë, të burgosur kanë qenë 347, të cilët më tutje janë lëshuar disa dhe janë mbajtur disa të tjerë në burgjet e Serbisë. Kemi dosjet e 23 të vrarëve në Burgun e Dubravës, që gjithmonë flasim për periudhën 7, 8, 9 dhe 10 maj, të cilët janë marrë peng në atë periudhë dhe janë të Komunës së Gjakovës. Pjesa tjetër është dosja e 112 fëmijëve të vrarë, të ekzekutuar në mënyra të ndryshme, pikërisht në Komunën e Gjakovës. Dhe një dosje tjetër që ne mendojmë se çdo qytetar, i cili i ka këto dosje duhet t’ia sjellë policisë, është dosja e kriminelëve pjesëmarrës në këto data”, tha ajo.

Ajo tha se janë të kënaqur nga puna që po bëhet nga gjykatat në vend, derisa theksoi se janë optimistë se të gjithë ata që kanë kryer krime do të dalin para drejtësisë.

“Ju po i shihni rezultatet edhe në gjykata veçse ka filluar arrestimi i kriminelëve të luftës, i keni rastet e fundit për përdhunime seksuale që është një nismë e mirë. Presim, se çdo e mirë vjen ngadalë. Ne nuk jemi pesimistë, jemi optimistë, për arsye se thashë më herët këta djem e vajza janë duke e punuar një punë shumë të mirë”, u shpreh ajo.