Dosjet dhe zbulimi i emrave të dëshmitarëve, a dha dorëheqje njëri prej figurave kryesore të Gjykatës Speciale?

Njëri prej prokurorëve kryesor të Gjykatës Speciale, Kwai Hong Ip raportohet se ka dhënë dorëheqje. Kështu të paktën është raportuar në disa media kosovare.
Mirëpo, cila është arsyeja që Honh Ip u largua nga Specialja?

Mësohet se shkaku ishte skandali me dosjet, të cilat u dërguan në Zyra e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Prishtinë.

Në këto dosje janë zbuluar emra të dëshmitarëve dhe dëshmitë e tyre, transmeton Indeksonline

Ndryshe, Kwai Hong Ip kishte zëvendësuar David Schwendimanin si Prokuror i Specializuar në detyrë në Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nga mesnata e datës 31 mars.
Ip është avokat britanik me përvojë të gjerë si prokuror ndërkombëtar edhe në Ballkan Perëndimor. Ai zëvendësoi Schwendiman edhe si Prokurori i Specializuar dhe si kryeprokurori i Task Forcës Hetimore Speciale (TFHS), paraprijësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Ip zhvilloi hetimet dhe ndjekjet penale për katër lëndë që rridhnin nga ngjarjet në Srebrenicë në vitin 1995. Mes këtyre ka qenë gjyqi i parë për gjenocid në Gjykatën e Bosnjës dhe Hercegovinës që edhe solli dënimet e para për gjenocid në atë gjykatë, si dhe një rast i cili ishte transferuar nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë.

Përveç karrierës juridike, Ip më parë ka qenë oficer në Forcat Ajrore Mbretërore, duke shërbyer si Komandues i misioneve ajrore dhe Navigator helikopteri me përvojë operative në disa operacione si në Irlandë Veriore dhe në mbështetje të forcave të NATO-s në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Ip gjithashtu ka qenë prokuror ushtarak në Forcat Ajrore Mbretërore, ndihmës këshilltar ligjor i Komandantit të KFOR-it, si dhe jurist në Departamentin e Drejtësisë së UNMIK-ut.
Ip ka ushtruar profesionin e avokatit në Angli dhe në Shtetet e Bashkuara pranë Asociacionit të Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit dhe si anëtar i Asociacionit Shtetëror të Avokatëve të Kalifornisë. Ai studioi në Kolegjin e Mbretit në Londër, në Universitetin e Londrës, në Akademinë e Forcave Ajrore Mbretërore në Cranwell, dhe në Fakultetin Juridik “Inns of Court” në Londër.
Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Evropian ka përgjegjësi për procesin e caktimit të pasuesit të Schwendiman. /Indeksonline/