15:39 / E Shtunë, 23 Tetor 2021 / MSH

Dr. Ekrem Hyseni: Qytetarët e Podujevës më meritorët për suksesin e arritur

Në kuadër të aktivitetit për mobilizimin e degës për raundin e dytë dhe fitoren e plotë në Llap, kandidati i LDK-së për kryetar të Podujevës, Dr. Ekrem Hyseni, ka takuar kandidatët për asamble komunale, strukturat e degës si dhe veprimtarët.

Me këtë rast, Hyseni vlerësoi punën e suksesshme të të gjithëve, ndërsa shtoi se për suksesin e arritur më meritorët janë qytetarët e Podujevës.

Ndërkaq, të gjithë kandidatët për asamble komunale shprehën mbështetjen dhe gatishmërinë për angazhimin e pandalshëm për fitoren e plotë të Hysenit në garën e raundit të dytë.

Po ashtu, Hyseni ka falënderuar ekipin garues, për të cilin tha se angazhimi i tyre i madh ishte përcaktues në rikthimin e LDK-së, në pozitën e saj origjinale, në Podujevë.

Në të njëjtën frymë, Hyseni ka falënderuar edhe strukturat, veprimtarët dhe të gjithë mbështetësit për kontributin e madh në fitoren e arritur, me ç’rast i ftoi që kështu të bashkuar e të mobilizuar të vazhdojnë të punojnë për fitoren e madhe që do të kurorëzohet më 14 nëntor.