Dragash: Përfundon me sukses operacioni për largimin e arinjve nga zona e banuar
Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka njoftuar sot përmes një postimi zyrtar se ekipet profesionale të Shoqatës “Dhía e Egër” kanë përfunduar me sukses aksionin për largimin e arinjve të cilët së fundi ishin vërejtur pranë fshatit Bellobrad.
Njoftimi, i cili i është adresuar komunës nga kryetari i shoqatës, Sherif Sylejmani, konfirmon se arinjtë janë zhvendosur jashtë zonës së banuar dhe janë drejtuar drejt maleve, duke siguruar ndërkohë edhe ushqim të mjaftueshëm për ta. Po ashtu, shoqata ka siguruar se situata është nën kontroll dhe se banorët nuk paraqesin më rrezik, shkruan IndeksOnline.
“Shpresojmë që në të ardhmen të mos paraqiten raste të tilla dhe që qetësia në fshat të vazhdojë pa pengesa”, thuhet më tej në komunikatën e shoqatës.
Kryetari Xheladini falënderoi shoqatën për bashkëpunimin dhe profesionalizmin, duke theksuar se institucionet do të vazhdojnë të mbajnë nën vëzhgim zonat malore për të parandaluar raste të ngjashme./IndeksOnline/

