75 Mall Live Search
20:22 / E Premte, 03 Korrik 2020 / indeksADMonline

Dragusha: Gjilani po penalizohet nga trajneri nga Shqipëria, ai s’e njeh ligën

Ish-futbollisti i njohur dhe trajneri kosovar, Muhamet Dragusha, beson se Gjilani po penalizohet nga trajneri i vet, pasi që ai është nga Shqipëria dhe, sipas Dragushës, nuk e njeh mirë futbollin në Kosovë.

Gjilani është në mes e katër klubeve – bashkë me Dritën, Prishtinën dhe Ballkanit – që po vazhdojnë të garojnë për titullin e kampionit të Superligës së Kosovës.

Klubi gjilanas tani radhitet në pozitën e katërt në tabelë, mirëpo i ka vetëm gjashtë pikë më pak sesa rivali i qytetit, Drita, që e mban kreun e tabelës.

Që nga rinisja e sezonit, Gjilani ka humbur pikë në dy ndeshje, pasi qëështë ndarë me barazim nga ndeshja kundër Trepçës ’89 dhe së fundi nga ndeshja kundër Llapit.

Dragusha beson se Gjilani tani ka mbetur më prapa në garën për titullin e kampionit, pasi që trajneri i klubit është nga Shqipëria dhe nuk e njeh mirë ligën kosovare.

“Në radhët e veta, Gjilani ka lojtarë me shumë përvojë dhe të dëshmuar si në kampionatin e Kosovës, ashtu edhe nga Shqipëria. Kanë një trajner të ardhur nga Shqipëria, që ndoshta edhe ai pak po e penalizon ecurinë e kampionatit, pasi që nuk e njeh shumë mirë futbollin e Kosovës”, ka thënë Dragusha në emisionin sportiv “Favorit” në T7.

“Ai nuk e njeh rrjedhën e këtyre gjërave dhe se si duhet të veprohet në çdo ndeshje. Mendoj që Gjilani ka kontingjent të lojtarëve shumë të mirë, edhe bankën rezervë e ka të mirë, por ja që po nuk po u ec dhe mendoj që me atë lojë që po e bën, vendi real për ta është vendi i katërt për momentin”.

Dragusha ka thënë gjithashtu se forma e Gjilanit nuk është stabile dhe kjo ka bërë që skuadra të humbasë pikë, pasi që paraqitjet nga ndeshja në ndeshje dallojnë shumë prej njëra-tjetrës.