75 Mall Live Search
10:58 / E Martë, 25 Prill 2023 / S Z

Drecun: Tani për Asociacionin do të vendosin shqiptarët në katër komuna në veri

Kryetari i të ashtuquajturit komision serb për Kosovë, Millovan Drecun, ka thënë se tani, edhe nëse pajtohet Kosova për formimin e Asociacionit, për këtë do të vendosin kryetarët dhe këshilltarët e rinj shqiptarë të zgjedhur në zgjedhjet lokale në katër komunat në veri të Kosovës, të cilat u bojkotuan nga serbët.

Ai ka deklaruar për televizionin serb RTS se edhe nëse statuti i Asociacionit, i cili do të propozohet nga “ekipi menaxhues serb” më 2 maj në Bruksel gjatë vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi, do të miratohej, ai duhet të votohet nga i këshilltarët e sapo zgjedhur shqiptar në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

“Edhe nëse e pranojnë të gjithë këtë, si mund të zbatohet praktikisht në një situatë ku nuk ka këshilltarë dhe kryetarë serbë? Në këtë variant, mund të formohet vetëm Asociacioni i cili do të ishte i pjesshëm, në të do të merrnin pjesë gjashtë komuna në jug të Ibrit, por këto katër në veri do të largoheshin nga ky tregim për Asociacionin”, ka thënë Drecun.

Duke qenë i vetëdijshëm për gabimin politik të bërë nga shefi i tij, Vuçiq, kur urdhëroi që serbët të bojkotojnë zgjedhjet me qëllim të paralizimit të institucioneve të Kosovës, ai ka pretenduar se tani ekziston një “pengesë e pakapërcyeshme” që “ndoshta mund të zgjidhet” me një marrëveshje politike për të “shfuqizuar rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura të dielën, të tërhiqet Policia e Kosovës nga veriu i Kosovës, të fillohet me formimin e Asociacionit, e me çka do të krijoheshin kushtet e kërkuara nga Vuçiqi që serbët të kthehen në institucionet e Kosovës”.