75 Mall Live Search
10:01 / E Martë, 04 Nëntor 2025 / H F

“Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”, Koci kërkon vendim meritor në rastin e Afrim Bunjakut

Ndërsa procesi gjyqësor për rastin e Afrim Bunjakut po vazhdon, avokati i familjes, Arianit Koci, ka folur për ecurinë e çështjes, duke vlerësuar profesionalizmin e policisë dhe prokurorisë.

 Ai ka kërkuar që gjykata të veprojë me vendosmëri, pasi, siç tha, “drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”.

“Në këtë fazë të gjykimit, mund të them se çdo gjë po zhvillohet sipas ligjit. Procesi po ecë qetë, pa pengesa dhe deri tashti gjithçka ka shkuar në rregull. Si policia, ashtu edhe prokuroria, e kanë kryer punën me profesionalizëm, ndershmëri dhe përkushtim. Hetimet janë bërë me kujdes e korrektësi dhe kjo duhet thënë publikisht”, ka deklaruar Koci për IndeksOnlinen.

Ai ka shtuar se puna e institucioneve duhet vlerësuar, por tashti është koha që gjykata të ndërmarrë veprimet e saj dhe procesi të përfundojë me një vendim meritor.

“Kur një institucion e bën punën si duhet, duhet me ia pranu. Por tash është koha që gjykata me vepru. Ky rast duhet të përfundojë sa më shpejt. Aktgjykimi meritor është satisfaksion jo vetëm për familjen e Afrim Bunjakut, e cila ka tregu durim, dinjitet e besim në drejtësi, por edhe për vendin”, ka theksuar avokati.

Në vijim, Koci ka theksuar rëndësinë e përfundimit të drejtë dhe të shpejtë të procesit gjyqësor, duke e lidhur rastin me rëndësinë e mbrojtjes së themeleve të shtetit.

“Me sulmin terrorist, janë goditur themelet e shtetit. Mbi të gjithë, sytë e botës janë të kthyer nga ne. Ky është momenti kur drejtësia jonë duhet me tregu që është efikase, profesionale dhe e pavarur. Në fund të ditës, krejt e dimë një gjë: drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. E drejtësia e mohuar – nuk i bën nder askujt”, ka përfunduar Koci.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 11 shtator 2023 ka ngritur aktakuzë ndaj Milan Radojçiq dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist në Banjskë. Ata ngarkohen për vepra penale që ndërlidhen me terrorizmin, konkretisht “Veprat penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Financimi i terrorizmit dhe shpëlarjes së parave”.

Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe popullatës civile.

Kurse, kreu i këtij grupit terrorist të strukturuar, Milan Radojçiq ngarkohet se nga viti 2017 e deri më 24 shtator 2023 ka siguruar të ardhura në mënyrë të tërthortë, e këto para i ka konvertuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, ku një pjesë të pasurive të paluajtshme e ka transferuar dhe te personat e tretë, me qëllim të fshehjes ose maskimit të burimit të pasurisë.

Aktakuza në rastin “Banjska” u mirëprit nga vendorët e ndërkombëtarët, të cilët presin të shohin se si do të zhvillohet gjykimi në këtë rast./IndeksOnline/