75 Mall Live Search
09:18 / E Hënë, 16 Shkurt 2026 / Z S

Drejtësia Speciale

Armët nuk shkrepin vetvetiu. Ato shkrepen nga ata që kanë humbur shpresat.

Shkruan: Oscar Arias

Në fund të shekullit XX, në Kosovë shpërtheu një luftë e armatosur midis forcave serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Gjatë konfliktit ndodhën krime lufte, përfshirë vrasje, dëbime dhe dhunime, të cilat prekën kryesisht popullsinë shqiptare të Kosovës.

Sipas organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut (p.sh. Human Rights Watch, UNHCR), numri i viktimave dhe të zhdukurve gjatë luftës së Kosovës arrin në dhjetëra mijëra persona; 13.549 të vrarë, në mesin e tyre 1.133 fëmijë të vrarë apo të zhdukur, 20.000 gra të dhunuara, 848.000 banorë shqiptarë të dëbuar me dhunë, 120.000 objekte banimi të shkatërruara dhe në mesin e tyre edhe 649 shkolla të dëmtuara.

Pas më shumë se një çerek shekulli nga kjo luftë, ende vazhdohet kërkimi 1.612 të pagjeturve.

Në këtë kaos, një grup i armatosur i njohur si Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) u formua me qëllim rezistence ndaj forcave serbe. Shumica e anëtarëve të UÇK-së ishin civilë të mobilizuar pa përvojë ushtarake – po luftonin për liri.

Më 12 qershor 1999, trupat e NATO-s hynë në Kosovë, dy ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes së Kumanovës, datë që sot shënohet si dita e çlirimit. (Kjo datë njihet në Kosovë si dita e përfundimit të konfliktit.)

Pas vendosjes së misionit ushtarak të NATO-s (KFOR), fusha e sigurisë në Kosovë mbeti nën kontrollin e tij, për shkak të kompetencave të kufizuara të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), e formuar më 21 janar 2009.

Menjëherë më pas, u vendos Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK), i cili mori përkohësisht administrimin e vendit. Ndërkohë, UÇK-ja u demobilizua dhe u zëvendësua nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës. Armët e mbledhura iu dorëzuan KFOR-it dhe më vonë u shkatërruan.

Kaosi i luftës dhe anarkia pas saj e bënë të vështirë vendosjen e rendit dhe ligjit, duke lënë shumë çështje të paqarta (Sipas raporteve të UNMIK-ut, KFOR-it; periudha pasluftës u karakterizua nga mungesë e institucioneve funksionale dhe pasiguri e lartë). Ashtu si në shumë vende pas përfundimit të konflikteve të armatosura, edhe Kosova nuk ishte përjashtim.  Pas luftës, në vend filluan të vendoseshin misione ndërkombëtare civile dhe ushtarake, ndërkohë që po përfundonte procesi i demobilizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe po formohej Qeveria e Përkohshme e Kosovës.

Gjatë kësaj faze të tranzicionit institucional, përgjegjësitë për administrimin e vendit ishin të shpërndara dhe jo gjithmonë të qarta.

Banorët që ishin strehuar në male po ktheheshin në vendbanimet e tyre për të kërkuar strehim, ndërkohë që refugjatët nga Shqipëria e Maqedonia po ktheheshin në vend. Në shumë zona mungonte energjia elektrike, uji dhe dokumentet personale ishin shkatërruar ose konfiskuar nga forcat serbe. (Për shkak të dëmtimeve të infrastrukturës dhe pasojave të luftës, gjendja humanitare ishte e rëndë për të gjithë popullin e Kosovës)

Përgjatë viteve, shumë prej luftëtarëve të Kosovës ishin përballur me procese gjyqësore në gjykata si brenda Kosovës  ashtu edhe ato  ndërkombëtare, siç ishte Tribunali i Hagës për ish Jugosllavinë, me ç ‘rast ishin dënuar, qindra ushtarë dhe eprorë. Sikur kjo të mos mjaftonte, ende pa përfunduar punën e Tribunali i Hagës dhe dy muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, filluan tentativat për akuza të reja, të cilat synonin krerët e shtetit që gjatë luftës ishin anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kjo tentativë për akuzë të re, u konkretizua në formë mocioni për rezolutë (Dokumenti 11574) me 15 prill 2008, nga një grup deputetësh në Këshillin e Evropës, të udhëhequr nga deputeti rus, Konstatin Kosachev. Megjithatë, ky mocion, i përkrahur nga gjithsej 17 deputetë, nuk arriti të hidhej për diskutim dhe miratim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Me 25 janar 2011, duke u bazuar në të gjeturat e raportit të Dick Marty-t, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës u miratua Rezoluta 1782  mbi trajtimin johuman të njerëzve dhe trafikimin e mundshëm të paligjshëm të organeve në Kosovë. Kjo Rezolutë, e cila tërhoqi vëmendje ndërkombëtare, hapi rrugë për themelimin e Gjykatës Speciale, respektivisht Dhomave të Specializuara të Kosovës, e cila u miratua nga Kuvendi i Kosovës me 3 gusht 2015.

Për të mundësuar funksionimin e kësaj gjykate, ishte e nevojshme të bëheshin edhe ndryshimet kushtetuese. Ky institucion juridik, i krijuar nga Kuvendi dhe i financuar nga Bashkimi Evropian, përfshin struktura si Avokati i Popullit dhe Gjykata Kushtetuese, dhe funksionon plotësisht i pavarur nga institucionet e Kosovës, duke garantuar një shkallë të lartë pavarësie.  Edhe pse vepron në emër të popullit të Kosovës dhe vepron sipas ligjeve të saj, të gjithë gjykatësit dhe prokurorët janë ndërkombëtar dhe nuk raportojnë dhe japin llogari drejtpërdrejt te institucionet e Kosovës. Madje, financimi kryesor nuk vjen nga Kosova.

Aktakuza u konfirmua me 5 nëntor 2020, me ç’rast Presidenti i Kosovës z.Hashim Thaçi dha dorëheqje për të hapur rrugë fillimit të procesit gjyqësor. “Para pak çastesh jam informuar prej njerëzve kompetentë zyrtarisht, se gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara ka konfirmuar aktakuzën kundër meje. Jam në këto momente jo të lehta për mua, për familjen time dhe për juve që më keni mbështetur dhe besuar për këto tre dekada të përpjekjeve tona për liri, pavarësi dhe shtetndërtim. Unë do të bashkëpunoj ngushtë me drejtësinë dhe nga ky moment jam në dispozicion të drejtësisë. Duke besuar në drejtësi, unë besoj në të vërtetën, pajtimin dhe të ardhmen e shtetit dhe shoqërisë tonë”, ka thënë Thaçi. Dorëheqja e Thaçit, arrestimi i tij dhe të tjerëve të akuzuar u krye pa rezistencë.

Është e rëndësishme të përmendet se Presidenti i atëhershëm i Kosovës, z.Hashim Thaçi, u pengua rrugës për në Uashington, kur edhe pritej të nënshkruhej një marrëveshje e paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Vëzhgues ndërkombëtarë dhe vendor vunë në dukje se urgjenca e arrestimit mund të perceptohej si ndërhyrje politike, meqë nga momenti i arrestimit e deri te fillimi i gjykimit kaluan gati tri vite.. Që nga nëntori i vitit 2020, të akuzuarit qëndruan të paraburgosur deri më 3 prill 2023, kur u hap gjykimi. Raporti i Dick Marty-t, i cili sugjeronte trafikim organesh nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk përfshihej në aktakuzën e konfirmuar. 

Ky proces u përcoll me kritika nga disa ekspertë mbi të drejtat e akuzuarve, përfshirë: paraburgimin e gjatë, mungesën e transparencës, mungesën e paraqitjes së provave, kufizimin e vizitave dhe shqetësime për të drejtën e mbrojtjes. Në disa raste, vëzhguesit raportuan se gjyqtarët dukeshin të anshëm ndaj Prokurorisë, duke ngritur dyshime mbi respektimin e parimit të pafajësisë. Ish-Asistenti i Sekretarit të Shtetit të SHBA-së dhe dëshmitar i mbrojtjes, James Rubin, deklaroi pas dëshmisë së tij: gjyqtarët për befasinë time, më bënë pyetje që dukeshin jashtëzakoniaht të anshme. Nuk tingëllonin si pyetje që kërkonin të gjenin fakte (Ex Files, Christiane Amanpur).

Rrjedhja e një numri të dosjeve në opinion që në vitin 2020, përgatitjet e gjyqit dhe provat e siguruara nga institucionet e sigurisë të Serbisë, sipas vëzhguesve të pavarur, kanë ndikuar në perceptimin e kredibilitetit të procesit gjyqësor dhe të Dhomave të Specializuara.

Vërejtjet e ekspertëve juridik mbi shkeljet potenciale të procedurës:

1. Parimi i legalitetit (Nullum Crimen, Nulla Poena Sine Lege)

• Janë shprehur shqetësime nga ekspertë ligjorë se Dhomat e Specializuara mund të kenë interpretuar ose aplikuar norma ligjore që nuk kanë qenë pjesë e legjislacionit të Kosovës në kohën e kryerjes së krimeve të supozuara, veçanërisht përmes referimit në të drejtën zakonore ndërkombëtare dhe jurisprudencën e tribunaleve ndërkombëtare.

• Gjithashtu, është ngritur çështja e zbatimit të parimit lex mitior (zbatimi i ligjit më të favorshëm për të akuzuarin). Disa vëzhgime profesionale sugjerojnë se ky parim nuk garantohet në mënyrë të plotë nga Dhomat e Specializuara dhe se në disa raste është trajtuar si parim diskrecional, e jo si e drejtë themelore. Kjo vërejtje është theksuar sidomos në rastin Salih Mustafa.

2. Përputheshmëria me Kushtetutën dhe Standardet e të Drejtave të Njeriut

• Dhoma Kushtetuese brenda Dhomave të Specializuara ka nxjerrë aktgjykim përmes të cilit ka konstatuar se panelet me dy gjyqtarë janë në kundërshtim me Ligjin për Dhomat e Specializuara, pasi ligji kërkon në mënyrë eksplicite që panelet gjyqësore të përbëhen nga tre gjyqtarë.

• Gjithashtu, janë evidentuar tensione më të gjera ndërmjet Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës, veçanërisht në aspektin e të drejtave të patjetërsueshme të njeriut, të garantuara me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNj / ECHR).

(Referencë: Policy Note, Institute of Legal and Political Studies)

3. Rekomandime për mbikëqyrje institucionale dhe transparencë

• Kjo gjykatë, për nga natyra e saj sui generis, do të duhej të ishte nën një formë të caktuar mbikëqyrjeje institucionale, qoftë edhe përmes caktimit të një raportuesi nga Këshilli i Evropës — institucioni që gëzon standardet më të larta në fushën e sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut, dhe që ka luajtur rol themelor në nismën për themelimin e saj.

• Në këtë kontekst, rekomandohet që të shqyrtohet mundësia për një rishikim institucional nga Këshilli i Evropës, përmes një raporti ose rezolute të re, me qëllim të rivlerësimit të procesit dhe të sqarimit të pretendimeve të ngritura lidhur me akuzat e mëparshme për trafikim organesh.

Aida Dërguti – ish Nënkryetare e Kuvendit të Kosovës

Visar Ymeri – ish Shef i Grupit Parlamentar në Kuvend të Kosovës

Naim Jakaj – Hulumtues i Lartë KLI (Kosovo Law Institute)

Teksti është përkthyer në anglisht, gjermanisht, frëngjisht, suedisht, italisht dhe norvegjisht dhe është dorëzuar për shqyrtim te ligjvënës dhe institucione ndërkombëtare, përfshirë Parlamenti Evropian, Këshilli i Evropës, deputetë të Bundestag si dhe zyra përkatëse në Shtetet e Bashkuara, përfshirë Zyra Ovale.

Komunitetet e diasporës po vazhdojnë angazhimin institucional dhe mediatik me kërkesa të qarta për shqyrtim dhe reagim zyrtar./Indeksonline/