75 Mall Live Search
14:38 / E Diele, 09 Nëntor 2025 / F.R

Drejtoresha e “Down Syndrome Kosova”: Pas reagimit tonë, Gencit iu lejua votimi

Drejtoresha e “Down Syndrome Kosova”, Sebahate Hajdini-Beqiri, njoftoi se pas reagimit të familjes, Gencit iu lejua votimi, pasi paraprakisht iu ishte mohuar e drejta për të votuar. Ajo kishte deklaruar më parë se personave me aftësi të kufizuara nuk po u lejohej të votonin.

“Në lidhje me moslejimin e Gencit për të votuar, pas reagimit tonë si familje, Gencit iu lejua të votojë, por procesi mbetet shqetësues për ne,” tha Hajdini-Beqiri.

Ajo theksoi se Gencit i ishte mohuar e drejta për votë, pavarësisht se ai kishte votuar më parë në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe 12 tetorit.

“Sipas Kushtetutës dhe ligjeve, Genci ka të drejtën për të votuar, pasi ka zotësi veprimi.”, tha ajo.

Sot, në qendrën e votimit në Ulpianë, udhëzuesi zyrtar për votuesit me asistencë e pengoi Gencin të votojë.

“A jeni të vetëdijshëm që asnjë dokument zyrtar nuk mund të hartohet në kundërshtim me ligjin?” pyeti Hajdini-Beqiri. “Genci, më fal që u zhgënjeve sot. Kjo është Kosova jonë.”, shkroi ajo.