75 Mall Live Search
23:52 / E Premte, 23 Qershor 2023 / MSH

Drejtori ekzekutiv i Klan Kosova prezanton dokumentet: Nuk ka asnjë teori të mbyllet mediumi

Drejtori ekzekutiv i Klan Kosova, Barlet Imami, ka thënë se është e paqartë se pse është pezulluar edhe për herën e dytë certifikata e biznesit të televizionit, edhe pas rregullimit të dokumentacionit.

Ai ka vazhduar të thotë se nuk ka asnjë gjasë që Klan Kosova të mbyllet.

“Derisa je në rregull, nuk ka asnjë teori për mbylljen e Klan Kosovës. Është e paqartë se pse është pezulluar përsëri, por këtë më së miri e dinë zyrtarët e ARBK-së!”, është shprehur Imami.

Ai ka theksuar se nuk është i qëndrueshëm argument se është bërë shkelje e rendit kushtetues në rastin e Klan Kosova.

“Zyrtarët e ARBK-së nuk janë të thirrur për ta vlerësuar kushtetutshmërinë dhe shkeljet kushtetuese. Këtë e bën Ministria e Brendshme. Klan Kosova është subjekt legjitim, i regjistruar me ligjin për shoqëri aksionare, ka strukturë organizative”.

Derisa ka folur ai, në sfond janë paraqitur dokumentet e korrigjuara, ndonëse çuditërisht licenca vazhdon të jetë e pezulluar.

“Më 20 qershor është rregulluar certifikata e biznesit, pasaporta. Pasi kemi dorëzuar këto dokumente zonja Pranvera Prestreshi e ka shfuqizuar vendimin paraprak. Ajo është bërë kurban i kësaj situate dhe është shkarkuar për këtë në mënyrë arbitrare. Është Hebibe Haliti, motra e deputeti Enver Haliti që ka nxjerr vendim përsëri dhe ka shfuqizuar vendimin paraprak”.

Imami ka shtuar se nuk e di se pse Klan Kosova po sulmohet në këtë mënyrë, kur në qasje ka politikë editoriale të balancuar.