10:35 / E Martë, 30 Janar 2018 / indeksADMonline

Drejtori i CIA-s: Rusia do të shënjestrojë zgjedhjet

Rusia do të vazhdojë fushatën e saj për ndërhyrje në zgjedhjet e huaja, duke shënjestruar garat e mesmandatit në Amerikë.

Paralajmërimi vjen nga vetë drejtori i CIA-s, Mike Pompeo, i cili në një intervistë për BBC tha se nuk ka parë ndonjë reduktim të aktivitetit rus.

“Unë pres që ata të përpiqen, por jam i bindur se Amerika do të zhvillojë zgjedhje të drejta dhe të ndershme, ne do të reagojmë dhe ndikimi i tyre nuk do të jetë problematik”, deklaroi Pompeo.

Kreu i agjensisë së spiunëve tha se pavarësisht bashkëpunimit kundër terrorizmit, Rusia është një rival dhe nuk ka pasur ndonjë reduktim të përpjekjeve ruse për subversion në Evropë dhe SHBA. Por, Pompeo gjithashtu tha se përpjeket kineze për të ushtruar ndikim mbi Perëndimin janë po aq shqetësuese sa subversioni rus. Madje, shefi i CIA-s tha se nëse krahasojmë ekonomitë ruse dhe kineze, këta të fundit kanë mundësi më të mëdha për të arritur objektivat e tyre.

Pompeo foli edhe për sfidat me të cilat SHBA përballet, si Koreja e Veriut dhe Irani, ndërsa shtoi se detyra e agjensisë është që t’i sigurojë Presidentit informacione sa më të mira e më të detajuara për të vendosur. Në këtë kuadër, me gjithë autoritetet që posti i jep, Mike Pompeo tha se CIA është agjensia më e mirë e spiunazhit në botë dhe do të bëjë gjithçka që mundet, madje edhe ato që nuk mundet për të vjedhur sekrete.

Top Channel

Temat: