Drejtori i Inspekcionit në Podujevë: Nuk e kam marrë vendimin për shkarkim – jam krenar për punën që kam bërë

IndeksOnline raportoi më parë se drejtori i inspeksionit në Komunën e Podujevës, Besnik Mulliqi, pritet të shkarkohet brenda pak orëve nga kjo pozitë.
Lirimin e tij nga detyra e ka kërkuar Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi.
Mirëpo, Mulliqi ende nuk e ka marrë “në duar” vendimin për shkarkim.
Ai një prononcim për IndeksOnline ka thënë se vendimi është protokolluar por ende s’është njoftuar zyrtarisht.
“Nuk mund të jap një prononcim të detajuar meqenëse vendimi për shkarkim është i protokoluar por nuk ka ardhur nga zyra e kryetarit, d.m.th. nuk ka kurgju. Duhet me më ardh zyrtarisht një vendim i tillë që i plotëson të gjitha ato kritere dhe vendime. Ne po presim, nëse ka diqka të tillë do ju informojmë me kohë”, tha Mulliqi.
IndeksOnline ka mësuar se javë më parë kishte një përplasje mes dyshes së përfolur rreth punëve që i përkasin kësaj drejtorie.
Për këtë, Mulliqi, tha se ka pasur mospajtime me kryetarin Bulliqi por se është krenar për punën që ka kryer deri sot.
“Me kryetarin kemi pasur dallime në veprime por sidoqoftë unë e kam kryer detyrën time dhe jam krenar për atë që e kam bërë”, shtoi ai.
Ndërkohë IndeksOnline ka tentuar të kontaktoi sot me kryetarin Bulliqi, mirëpo kontakti me të përmes telefonit ka qenë i pamundur./IndeksOnline/