Drejtori i LDK-së që nuk po guxon të futet në zyren e tij, e kërcënojnë bashkëpartiakët
Besart Dreshaj ishte emëruar drejtor për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Istogut që nga data 12 qershor e këtij viti. Por, që nga ajo kohë, Dreshaj nuk e ka shijuar detyrën e tij pasi që emërimi i tij kishte shkaktuar përçarje e përplasje në LDK-në e Istogut.
Madje, ai dyshohet se ishte kërcënuar nga zyrtarë partiakë të LDK-së në Istog se nëse futet në zyre, nuk do ta shijojë gjatë këtë pozitë. Ky kërcënim përmendet që një kohë në Istog, ndërsa Besart Dreshaj shfaqet në pozitën e drejtorit vetëm nga terreni.
Fillimi i përplasjes ka zanafillën nga zgjedhjet e fundit lokale pasi që kryetari Rugova i kishte premtuar drejtorate zyrtarëve të LDK-së në Istog, ish djalit të kryetarit të Istogut, Fadil Feratit, Ilirit, si dhe biznesmenit nga Vrella, Xhevat Demaj, shkruan Indeksonline.
Mosmbajtja e fjalës nga kryetari Rugova kishte bërë që zyrtarë të LDK-së të irritoheshin me emërimin e Besart Dreshajt, pozitë e cila i ishte premtuar dikuj tjetër. Se drejtorllëku i Dreshajt nuk e ka “aminin” e disa zyrtarëve të kartë të LDK-së në Istog, treguan reagimet e dy njerëzve të afërt të Haki Rugovës.
Xhevat Demaj javën e kaluar dha dorëheqja nga partia duke e ofenduar rëndë kryetarin aktual të cilin e quajti tradhtar e njeri të Rankoviqit.
Poashtu, shoferi i kryetarit Rugova, Haki Zeqiri doli haptazi kundër drejtorit Dreshaj të cilin madje e akuzoi publikishtt për vjedhjen e 600 litrave derivate nga komuna.
Përballë këtyre telasheve, kryetari Rugova vazhdon të heshtë.
Indeksoline e ka kontaktuar drejtorin Dreshaj, por që ai ka zgjedhur heshtjen, përballë rrëfimit.
Në anën tjetër, deputeti Gani Dreshaj ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit aktual pasi që sipas tij në këtë situatë më së shumti po e vuajnë qytetarët e Istogut./Indeksonline/