18:40 / E Diele, 06 Dhjetor 2020 / Blerim

Drejtori i OBSH-së për Evropën: Vaksinat anti-Covid do të ndryshojnë lojën

Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Hans Kluge ka folur për vaksinat anti-Covid. Në një konferencë që bëri në Kopenhagen ai ka thënë se premisat që vaksinat kanë janë fenomenale dhe se do të ndryshojnë lojën. Më tej, ai tha se deri tani janë mbi 200 doza kandidate për vaksinën anti-Covid dhe se këto sjellin më shumë shpresë për t’i dhënë fund SARS-COV 2. Ai gjithashtu tha se personat e parë që do të vaksinohen do të jenë punonjësit e shëndetësisë dhe me pas personat që futen në grupmoshat me rrezikshmëri të lartë.

 “Së pari dhe pa asnjë dyshim, premisa e vaksinave është fenomenale. Shpërblimi është ndryshimi i lojës. Me më shumë se 200 doza kandidate për vaksinën kundër Covid-19, e ardhmja duket ndjeshëm më e ndritshme. Me furnizimet që në këtë fazë të parë pritet të jenë në sasi të limituar, të gjitha vendet do të duhet të vendosin se cila kategori do të vaksinohet e para. Rekomandimi ynë janë punonjësit e shëndetësisë dhe ata social, më pas janë qytetarët të moshës nga 60 vjeç e lart”, u shpreh Hans Kluge.

Kluge më tej, theksoi se momentalisht vaksina anti-Covid nuk është e gatshme dhe se tani duhet që të mbajmë maskat anti-Covid dhe të vazhdojmë me distancimin social si masë kryesore për të luftuar përhapjen e Covid-19.

“Premisa e vaksinës është e jashtëzakonshme, por diçka është e qartë në këtë moment: vaksina nuk është këtu sot, jo çdokush do ta marrë sapo ajo të mbërrijë por secili prej nesh duhet të vazhdojë me praktikën e ndjekur deri tani: të kujdeset për distancën dhe të mbajë maskë”, përfundoi ai.

Që nga fillimi i pandemisë deri tani në të gjithë botën janë regjistruar 67,136,040 persona me Covid, ndërsa 1,538,499 të tjerë kanë humbur jetën.