20:07 / E Premte, 13 Maj 2022 / MSH

Drejtori i Policisë së Kosovës takohet për herë të parë me ambasadorin amerikan, Hovenier

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, priti sot në takim ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier.

Ky është takimi i parë që është zhvilluar mes Mehmetit dhe ambasadorit Hovenier.

Fillimisht, Mehmeti falënderoi ambasadorin Hovenier për vizitën e realizuar në Policinë e Kosovës dhe theksoi bashkëpunimin e vazhdueshëm mes Ambasadës së ShBA-së me PK-në. 

Drejtori i Policisë i dëshiroi punë të mbarë dhe suksese ambasadorit në detyrën e tij si Shef i Misionit, si dhe i falënderoi taksapaguesit e ShBA-së për mbështetjen e palëkundur për Policinë e Kosovës. 

Ambasadori amerikan Hovenier, falënderoi për pritjen e organizuar dhe potencoi se rendi dhe qetësia publike dhe sundimi i ligjit janë shumë të rëndësishme për funksionimin e demokracisë së një vendi. Ambasadori amerikan shprehu përkushtimin e tij për bashkëpunim dhe mbështetje të vazhdueshme me qëllim të avancimit dhe profesionalizmit të Policisë së Kosovës. 

Në takim u diskutuan edhe tema konkrete me fokus në komunitetet pakicë, avancimin e shkathtësive në fusha operacionale, menaxhimin e ndryshimeve, unifikimin e policisë dhe rolin qenësor që Policia ka për të ardhmen e Kosovës.