16:52 / E Mërkurë, 06 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Drejtori i Policisë viziton stacionin në veri, kërkon angazhim më të madh për siguri

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, i shoqëruar nga stafi i lartë i tij, ka vizituar sot  Drejtorinë Rajonale në Veri të Mitrovicës.

Qëllimi i kësaj vizite të drejtorit Qalaj ishte ngritja e performancës dhe integritetit policor në punë, ndërmarrja e masave policore në aspektin reagues dhe parandalues  të veprave të ndryshme kriminale.

Qalaj ndër të tjera ngriti edhe çështjet kyçe që kanë të bëjnë me sigurinë e qytetarit, bashkëpunimin dhe takimet me komunitetin, sigurinë në trafik, parandalimin e veprave kriminale, si grabitjet, vjedhjet, drogat etj. 

Nga stafi udhëheqës i Drejtorisë Rajonale u kërkua që të punohet dhe të angazhohen edhe më shumë, në mënyrë që të krijohet një klimë e qetë dhe më e sigurt për qytetarët, e që kontribuon edhe në sigurinë e përgjithshme të vendit.

Policia e Kosovës ka kapacitete profesionale dhe është e përgatitur që të ofrojë siguri, të luftojë kundër krimit të organizuar, kontrabandës si dhe të parandalojë rastet kriminale, andaj kërkohet angazhim nga të gjithë punonjësit pa dallime.

Takimi rezultoi me zotimin  për angazhime shtesë drejt përmbushjes së detyrave dhe obligimeve policore karshi qytetarëve të vendit.