Drejtori i Policisë: Zgjedhja e ime ishte legjitime, s’ka të bëjë me çështje politike

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti në një intervistë për “Betimi për Drejtësi’’, ka thënë se zgjedhja e tij si drejtor i Policisë ka qenë krejtësisht në mënyrë legjitime dhe nuk ka pasur të bëjë me çështje politike.
Mehmeti thotë se pas shkarkimit nga detyra e drejtorit Rashit Qalaj nga ana e ish-kryeministrit Avdullah Hoti, ka qenë e përcaktuar më ligj që atë ta zëvendësojë fillimisht si ushtrues detyre pasi ishte zëvendës drejtor.
Tutje, ai ka shtuar se me hapjen e konkursit për këtë pozitë ka aplikuar si gjithë kandidatët e tjerë. “Ka qenë një panel dhe nga anëtar vendore edhe nga anëtar ndërkombëtar, përkatësisht nga një agjencion ndërkombëtar, të cilët më kanë vlerësuar, natyrisht që vlerësimi mendoj që ka qenë, të paktën sipas asaj çka unë kam mujt me vërejtë ka qenë real”, është shprehur Mehmeti, duke shtuar se rezultatet kanë dalë në publik dhe i kanë pa të gjithë.
Ndërsa, rreth asaj që është diskutuar se zgjedhja e tij ka qenë politike, ai thotë se nuk i komenton ato deklarata. ‘‘Sa i përket aspektit politik, definitivisht nuk i komentoj asnjëherë deklaratat politike, nuk e komentoj asnjëherë as legjitimitetin e kësaj e as të asaj qeverie, unë e kryej punën time si Drejtor i Policisë në bazë të ligjit edhe përzgjedhja mendoj që është bërë në bazë të ligjit’’, ka thënë Mehmeti.
Ndryshe, Samedin Mehmeti pas shkarkimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj nga ana e ish Kryeministrit Avdullah Hoti, në tetor të vitit të kaluar, fillimisht ishte caktuar tre muaj si ushtrues detyre dhe më pas u emëruar edhe zyrtarisht si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës.
Zgjedhja e tij ishte bërë përmes një votimi elektronik në mbledhjen e Qeverisë së atëhershme, ku kishte marrë shumicën e votave.