Drejtori i ri i RTK-së/ Nga nesër nis ‘beteja’ për udhëheqje të transmetuesit publik!

Radio Televizioni i Kosovës shumë shpejt pritet ta ketë drejtorin e ri. Zgjedhja e këtij të fundit do të bëhet pasi transmetuesi publik i Republikës së Kosovës aktualisht ka vetëm ushtrues detyre.
Bordi i ri i RTK-së, në krye me Besnik Boletinin, nesër (e mërkurë) pritet të miratojnë kriteret e konkursit për drejtor të përgjithshëm dhe ta procedojë për publikim në ditët ardhshme.
Ky konkursi do të jetë publik, në të cilin mund të aplikojë kushdo që ka interesim dhe vizion për RTK-në.
“… do të jetë proces transparent dhe tërësisht meritokratik”, është shprehur Boletini.
Duke marrë parasysh që perceptimi në opinion dhe shoqëri civile është se Bordi i RTK-së është zgjedhur në mënyrë meritokratike dhe se e njëjta gjë pritet të bëhet edhe me përzgjedhjen e drejtorit, pritet që të ketë aplikime të shumta për drejtor të RTK-së.
Kujtojmë se Shkumbin Ahmetxhekaj, është emëruar ushtrues i detyrës së drejtorit të Radiotelevizionit të Kosovës, pas shkarkimit të Ngadhnjim Kastratit.
Shkarkimi i tij ka ardhur si pasojë e shkeljeve të Ligjit për RTK-në, nepotizmit, keqpërdorimeve, mospunës, degradimit dhe raportimit të anshëm e jo objektiv të mediumit publik. /Indeksonline/