09:41 / E Enjte, 03 Dhjetor 2020 / OSH

Drejtori i Spitalit në Gjakovë: Turp i qoftë deputetit Batusha për shpifje, kemi mjaftueshëm boca të oksigjenit

Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Gjakovë “Isa Grezda”, Hilmi Shala i ka quajtur shpifje deklaratat e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Agon Batusha, se ka mungesë të bocave të oksigjenit.  

“Gjendja është shumë e mirë, kemi boca të oksigjenit mjaftueshëm dhe sipas numrit të pacientëve furnizohemi kohë pas kohe”, ka thënë ai në një bisedë për IndeksOnline.

Drejtori Shala konsideron se deputeti Batusha po e shfrytëzon pandeminë për të mbledhur poena tek elektorati.

Shala njëherit ka bërë thirrje t’i lënë të qetë të kryejnë detyrën e tyre profesionale, në këto momente tejet të vështira.

“Janë propagandë e Agon Batushës, i cili po e shfrytëzon pandeminë dhe të sëmurit për të mbledh një grusht vota elektorale. I bëj thirrje deputetit në fjalë t’i lëjë rehat mantelbardhët ta vëjnë punën e vet, turp ju qoftë kush përzihet në shëndetësi këto momente”, ka thënë tutje ai.

Ai poashtu ka përmendur faktin se deklaratat e tilla nxisin panik tek të sëmurët, gjë e cila mund të ndikojë drejtëpërdrejt në gjendjen e tyre shëndetësore.

“Propagandat e tilla ju shkaktojnë panikë pacientëve, është turp që një deputet i tillë në kohë pandemie, në kohë luftë bënë deklarata të tilla”, shtoi tutje ai.

Ndryshe, aktualisht në Spitalin e Gjakovës janë të shtrirë 91 pacienta të prekur nga Covid19.

Sipas drejtorit Shala, në këtë spital janë të plotësuara të gjitha kapacitetet spitalore dhe njerëzore. /IndeksOnline/