75 Mall Live Search
12:14 / E Mërkurë, 13 Mars 2019 / indeksADMonline

Drejtori që ngujoi arsimtarët shpëton pa asnjë masë, kryetari i Kaçanikut s’ka informacione!

Të hënën 11 mësimdhënës të shkollës së mesme të ulët “Emin Duraku” në Kaçanik, kanë qëndruar të mbyllur në sallën e mësimdhënësve.

Kjo, pasi drejtori i shkollës, Avdyl Reka ua mbylli atyre derën e sallës, sepse nuk e respektuan orarin e punës dhe u vonuar 2-3 minuta për të nisur orën e pestë të orarit mësimor, shkruan Indeksonline.

Kryetari i komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi ka thënë se nuk ka akoma informata të detajuara si ka ndodhur e tërë kjo ngjarje.

Në një prononcim për Indeksonline, Ilazi ka bërë të ditur se deri më tani nuk ka arritur në zyrën e tij ndonjë ankesë nga mësimdhënësit, apo drejtori i shkollës.

“Ju lutem folni me drejtorin e arsimit, u jep detaje pak më shumë. Nuk e di veprimin si ka ndodhur, zyrtarisht nuk kemi akoma asgjë në këtë drejtim. Nuk kemi as shkresë nga ndonjë punëtor i arsimit, as deklaratë nga drejtori i shkollës. Me siguri, Drejtori i Arsimit është më në ngjarje, ju jep detaje më shumë”, ka thënë Ilazi.

Indeksonline ka kontaktuar edhe me drejtorin e shkollës “Emin Duraku”, Avdyl Reka. Ai në një prononcim të shkurtër nuk ka dashur të flas për ngjarjen e së hënës, duke thënë se nuk ka të bëj asgjë me këtë punë.

“A edhe me këso gjana po mirreni a? Po luani me thashetheme, me lajme të rreme, të gabume kot. S’kam të bëj kurrgjë me këtë punë, nuk përgjigjem në këtë punë”, ka thënë Reka i nervozuar.

Derisa në Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Kaçanikut thonë se nëse ka ndodhur një gjë e tillë, atëherë nuk do të tolerohet. Madje, ndaj Rekës mund të merren masa disiplinore. /Indeksonline/