75 Mall Live Search
14:47 / E Premte, 28 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Drejtoria e Inspeksionit, rrënon një objekt afarist, i ndërtuar në pronë publike

Drejtoria e Inspeksionit në Komunën e Mitrovicës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës sot ka bërë rrënimin e një objekti afarist i ndërtuar pa leje ndërtimi në pronë publike në rrugën “Bislim Bajgora”.

Për ta përcjellë nga afër procesin e rrënimit ishin të pranishëm edhe kryetari i komunës, Agim Bahtiri, drejtori i Inspeksionit, Hysni Ahmeti si dhe drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Nehat Bahtiri.

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, bën të ditur se ky vendim është në përputhje me ligjin dhe se uzurpimi i pronës publike dhe ndërtimi pa leje është një vepër e rëndë që krahas kësaj, çdo shkelës i këtyre rregullave, përpos rrënimit mund të përballet edhe me organet e drejtësisë.

Po ashtu kryetari Bahtiri potencon se me kohë e kanë paralajmëruar ndërtuesin si edhe kanë ndjekur të gjitha procedurat deri në vendimin përfundimtar për rrënim.

Andaj Drejtoria e Inspeksionit u bën thirrje të gjithë qytetarëve të cilët duan të bëjnë ndërtime të objekteve afariste apo të banimit që të pajisen më leje ndërtimi, ndryshe Inspeksioni i komunës është i obliguar që ta zbatojë ligjin dhe të marrë masa konform ligjit në fuqi.