20:30 / E Shtunë, 15 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Drejtoritë Komunale të Arsimit në Istog dhe Pejë: Qeveria ndau mjetet për riparimin e shkollave në kohë rekorde

Përmbytjet para 10 ditëve në komunën e Klinës dhe të Istogut kanë shkaktuar dëme të mëdha në amvisëri, objekte afariste, infrastrukturë dhe në bujqësi, shkruan IndeksOnline.

Sipas vlerësimeve të bëra në terren nga komisionet komunale, shuma e dëmeve, pa i përfshirë dëmet në biznese, arriti afër 1.5 milionë euro.

E për një periudhë të shkurtër, Qeveria “Kurti”, me kërkesë të ministres së Arsimit Hykmete Bajrami, ka ndarë mjete rreth 400 mijë euro për dy komunat.

Për sanimin e dëmeve në institucionet arsimore, në Istog, u ndanë 136 mijë euro, ndërsa për në komunën e Pejës rreth 297 mijë euro.

Drejtori Komunal i Arsimit në Istog, Hajrush Shoshi, për IndeksOnline ka thënë se shuma e ndarë për sanimin e dëmeve në shkolla është e mjaftueshme.

Ai pret që së shpejti të rregullohen edhe pesë shkollat e tjera, të dëmtuara nga erërat e fuqishme.

Shoshi ka thënë se disa nga shkollat janë riparuar edhe me buxhet komunal.

“Vlera e parave e ndarë është e mirëseardhur prej Qeverisë. Është vlerë e mjaftueshme, shpresojmë që do të arrijmë t’i riparojmë të gjitha dëmet. Disa vende i kemi sanuar edhe me mjetet tona buxhetore, në tri katër shkolla që i kemi pas tjegullat e hjekura, i kemi sanuar ato.

Mirëpo tash kanë mbetur edhe 5 shkolla kanë mbetur për t’u sanuar, shpresoj do t’i arrijmë me shumën e ndarë.

Vetëm nxënësit e një shkolle jemi duke i transferuar në një shkollë tjeër pasiqë shkolla është më e dëmtuar, është gjendja pak më e rëndë. Këto të tjerat kanë probleme vetëm në kulme, e derisa është kjo kohë jemi duke vazhduar mësimin”, ka thënë ai.

Edhe Drejtori Komunal i Arsimit në Pejë, Besim Avdimetaj është ndarë i kënaqur me ndarjen e mjeteve për sanimin e objekteve shkollore në këtë komunë.

Ai për IndeksOnlinë ka thënë se mjetet janë ndarë në kohë rekorde nga komuna.

Avdimetaj ka thënë se dëmi i përgjithshëm në shkolla është afro 300,000.00€.

Ai bëri të ditur se të gjitha objektet do të rregullohen edhe me ndihmën e buxhetit komunal.

“Ndarjen e mjeteve nga ana e Qeverise për Komunën tonë e vlerësojmë shumë mirë në aspektin e gatishmërisë (reagimi kohor) dhe vlerës financiare.

Dëmi i përgjithshëm në shkolla është afro 300,000.00€ , por inxhinierët e Komunës kane dal në terren për matjet e sakta dhe për punimin e projekteve zbatuese tek shkollat e dëmtuara nga era dhe pas punimit të përmasave dhe parallogarive finale do e kemi vlerën financiare të saktë.

Nëse kemi tejkalim të vlerës së lartcekur Komuna do të merr përsipër mbulimin e saj pasi ka buxhet të mjaftueshëm dhe këto projekte do të përfundohen në  tërësi./IndeksOnline/