Drenasi dëshmon fuqi/ PDK-ja me rezultat të lartë, përtej parashikimeve dhe zërave për përçarje
Pas shumë diskutimeve, zhurmave publike dhe pretendimeve se në Drenas mungon uniteti brenda Partisë Demokratike të Kosovës dhe se kjo mund të sjellë një rezultat të dobët për subjektin, realiteti zgjedhor tregoi të kundërtën. PDK-ja doli bindshëm fituese në Komunën e Drenasit, duke shënuar një rezultat shumë të lartë dhe tejkaluar çdo pritshmëri.
Sipas rezultateve preliminare nga KQZ-ja, PDK-ja në Drenas ka marrë 70.28% të votave me gjithsej 17,579 vota, duke e lënë pas Vetëvendosjen me 22.14% (5,537 vota), ndërsa subjektet e tjera rezultuan me numra shumë më të ulët.
Dega e PDK-së në Drenas dhe kandidatët për deputetë, arritën të mobilizonin strukturat, aktivistët dhe simpatizantët, duke nxjerr votuesin masivisht në qendra të votimit.
Interesant mbetet fakti se PDK-ja në Drenas mori më shumë vota se në Skenderaj, komunë e cila tradicionalisht konsiderohej bastion dhe më e unifikuar, ndërsa për Drenasin qarkulluan narrativat e kundërta.
Ky rezultat shihet si konfirmim i fuqisë elektorale të PDK-së në këtë komunë, por edhe i angazhimit në terren që u pa gjatë gjithë fushatës.
Drenasi edhe këtë herë u dëshmua si një ndër komunat ku PDK-ja ruan bazën e fortë politike dhe ndikimin e madh në elektorat./IndeksOnline/

