20:38 / E Hënë, 18 Tetor 2021 / LB

Drenasi në balotazh/ Ajazi paralajmëron bashkim forcash të të gjithë spektrit politik opozitar në këtë komunë

Kandidati për kryetar të komunës së Drenasit nga iniciativa “Demokratët për Drenasin”, Driton Ajazi, ka falënderuar qytetarët e Drenasit për mbështetjen që i kanë dhënë për kryetar të kësaj komune.

Ajazi i cili do të jetë në balotazh me Ramiz Lladrovcin, ka paralajmëruar se do të jap atomin e fundit nga vetja, në mënyre që vullnetin qytetar siç thotë ai për ndryshim ta çojë deri në fund, ka shkruar ai, transmeton “Indeksonline”.

“Hisedarë në këtë rezultat jemi të gjithë dhe të gjithë nesër duhet të participojmë në zhvillimin dhe transformimin e Drenasit”, ka shkruar ndër të tjera Ajazi.

Postimi i plotë i Ajazit:

Të dashur bashkëqytetarë,

Unë e kam kuptuar drejt vullnetin tuaj të djeshëm. Ishte vullnet për ndryshim, para së gjithash.

Ju e mbytët ambientin kërcënues e shantazhues të këtij pushteti. E mbytët frikën. Dhe, votuat për ndryshimin që ndodhi.

Ju falenderoj shumë secilin nga ju, pavarësisht ngjyrimit politik.

E keni parë që dallimet politike i kemi lënë anash ne që e domë ndryshimin. Prandaj, krahas projekteve që shpalosëm, në fushatë kishim një mision bashkërisht: ta demaskojmë kryetarin në ikje, t’ia përplasim fytyrës të bëmat, me qëllimin që ta marrë ndëshkimin tuaj.

I falenderoj pa fund Fejzinë, Xhavitin, Artën  e Anduenën që dhanë këtë kontribut për të ardhur tek rezultati i ndryshimit.

Ju garantoj se idetë dhe projektet e juaja për Drenasin do t’i shtyjë përpara, pasi kjo është fryma e demokracisë që qytetarët e Drenasit e dëshirojnë, të bashkuar për ndryshimin e madh që do i vjen komunës sonë.

Ky rezultat na ka vu si barrë përgjegjësinë për të dhënë atomin e fundit nga vetja, në mënyrë që vullnetin qytetar për ndryshim ta çojmë deri në fund, duke i sublimuar energjitë e të gjithë spektrit politik kundër pushtetit tashmë të rënë.

Hisedarë në këtë rezultat jemi të gjithë dhe të gjithë nesër duhet të participojmë në zhvillimin dhe transformimin e Drenasit.