Drenica s’po i respekton marrëveshjet, i’u ka borxh 6 futbollistëve, FFK s’bën asgjë!

Marrëveshjet dhe kontrata e futbollistëve në Kosovë nuk po respektohen farë nga disa skuadra.
Për çdo sezon ka futbollistë që ankohen në FFK për mos zbatim të kontratave me rregull.
Një rast i mos përgjegjësisë në kontratë është ai ish futbollistit të Drenicës, Diar Mustafa dhe gjashtë të tjerëve si Hasan Hysenin, Edmond Turku, Përparim Osmani, Argjend Bardhi, Edon Pasoma dhe Armend Abazi, shkruan IndeksOnline
Për të njohur më shumë se si është gjendja me pagesat e skuadrës së Drenicës për futbollistët në fjalë, Diar Mustafa në një prononcim për IndeksOnline tregon se si klubi nga Skenderaj nuk ka respektuar kontrata e tyre, madje rasti i’u është kumtuar edhe Federatës së Futbollit të Kosovës që ka qenë të heshtur.

“Ne jemi shtatë veta që jemi larguar nga Drenica, ne fillim te sezonit, por na kanë mbetur borxh me paga. Ne së pari jemi adresuar në Federatën e Futbollit të Kosovës, ku kanë kërkuar nga ne dhe klubi që të gjejmë një gjuhë të përbashkët. Ne kemi ra dakord dhe e kemi bërë marrëveshje në zyre të Federatës. Marrëveshjen e kemi bërë me 30 tetor 2020, ne e kemi arrite këtë marrëveshje me u pagu me dy këste, kësti i pari në nëntor i dyti në dhjetor. E nëse rasisht klubi e pagun me një këst, ne u dashtë me ia falë 20 përqind të borxhit. Por, nëse jo u dashtë me na pagu me dy rata. Këtë e kemi nënshkruar edhe na edhe Federata. Por kjo nuk është marrë parasysh nga Drenica dhe i kanë kryer vetëm dy pagesa, por jo dy këste. Këto pagesa u dashtë që të përfundohen në dhjetor”, tha fillimisht Mustafa.
Mustafa, shtoi se edhe pse Federata i kishte premtuar se kjo çështje do të zgjidhej, por kanë kaluar më shumë se një muaj dhe ende nuk ka reflektim.

“Ne jemi shtatë futbollistë që kemi bërë kërkesë dhe marrëveshje me klubin, ku jemi dakorduar që të jetë në të mirën tonë dhe klubit, por që nuk e kanë përfillur. Federata e ka për detyrë me i mbrojte lojtarët, edhe pse kanë thanë se do të flasin, por ka kaluar më shumë se një muaj dhe ende nuk ka asgjë”, tha ai.