75 Mall Live Search
23:23 / E Premte, 18 Tetor 2024 / FR

Dreshaj: Komisioni Hetimor ka gjetur lëshime në subvencionimin e teksteve

Shemsedin Dreshaj, deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, për dështimin e mbledhjes së Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të teksteve shkollore, tha se përkundër asaj se ka pasur gjasa për të përmbyllur si duhet misionin e vet, fatkeqësisht në dy mbledhjet e fundit ka pasur mungesë të deputetëve të partisë në pushtet.

Në magazinën informative “Lajmet e fundit”, Dreshaj bëri të ditur se sot kishin për të intervistuar tre dëshmitarë të fundit lidhur me interpelancën, por, nënvizoi ai, kjo u pamundësua për shkak të mungesës së deputetëve të partisë në pushtet.

Arsyetimet e shumicës parlamentare për bojkotin e tyre në mbledhjet e komisioneve dhe të seancave parlamentare, që ndërlidhen në mos-nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, Dreshaj sqaroi se mbledhja e sotme e Komisionit Hetimor Parlamentar për subvencionet e  teksteve shkollore nuk ka pasur të bëjë me agjendën e deklaruar nga deputetët e partisë në pushtet. “Agjenda e këtij komisioni është hetimi i subvencionimit të teksteve shkollore për nxënësit tanë”, nënvizoi Dreshaj.

Sipas tij, janë gjetur lëshime të mëdha, qoftë në procesin e subvencionimit të teksteve, qoftë në procesin pagesës, në procesin e shpërndarjes dhe kohës së shpërndarjes.

Tutje, Dreshaj shtoi se këto gjetje implikojnë Ministrinë e Arsimit në veprime e hapa që nuk kanë qenë  të nevojshme dhe që nesër mund të jenë objekt të hulumtimit nga organet kompetente. Ai vuri në dukje rritjen e buxhetit në këtë ministri në subvencionimin e teksteve shkollore.