10:50 / E Enjte, 21 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Dreshaj: Ligji për veteranët të ndryshojë, duhet t’u jepet mundësia për punë

Gani Dreshaj vazhdon të insistojë se veteranët e luftës duhet të kenë mundësinë për punë. Ish-deputeti i AAK-së thotë se ligji aktual po e pasivizon një shtresë të madhe të shoqërisë, e cila është e aftë për punë dhe po i mohohet e drejta elementare e punës.

“Kushdo që vjen kryeministër, Albini ose kushdoqoftë, duhet të ndryshojë Ligjin për veteranët e luftës. Është mohim i së drejtes elementare për punë, nëse ata janë të gatshëm të punojnë.

Paga që marrin prej 170 eurosh, është social e jo pagë e mirëfilltë. Askush nuk mund të mbajë familje me 170 euro, por nëse atyre u lejohet e drejta për punë, me një pagë shtesë secili nga ta do të kishte një jetesë më të dinjitetshme.

Njoh shumë të tillë, që të gjithë të aftë e të gatshëm për punë, por që ligji i mbanë peng, duke ua vështirësuar jetën.

Fatmirësisht, prokuroria ka filluar që të dënojë veteranët e rremë, disa nga ta vullnetarisht po largohen nga lista nga frika e drejtësisë dhe në të njëjtën kohë duhet që politika të tregohet e dinjitetshme ndaj veteranëve, që nuk kanë kursyer jetën e tyre në luftën për atdhe”, ka thënë Gani Dreshaj./Indeksonline/