Drita apelon rastin në CAS, kërkon të rikthehet në Ligën e Kampionëve

Drita do të apelojë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) përjashtimin nga Liga e Kampionëve pas rregullave të reja të UEFA-s gjatë pandemisë Covid-19.
Bardhekaltërit besojnë që humbja në tavolinë ndaj ekipit të Linfield (3:0), ishte e padrejtë dhe kësisoj janë optimistë që do të marrin një dëmshpërblim të majmë.
UEFA-ja në koordinim me autoritetet e Zvicrës kishte anuluar takimin për shkak se dy futbollistë të Dritës kishin dalë pozitivë në testin për Covidin-19.
Drita ka angazhuar avokatin zviceran, Luca Tettamanti, i cili do t’i ndjekë procedurat për të apeluar rastin.
Në një prononcim për Associated Press-in, Tettamanti ka theksuar që është duke proceduar me fakte.
“Ne jemi duke proceduar me rastin bazuar në fakte”, deklaroi Tettamanti për AP-në.
Ndërkohë, Drita do të vazhdojë garat në kualifikimet e Ligës së Evropës, ku është në pritje të kundërshtarit.