75 Mall Live Search
13:00 / E Mërkurë, 11 Mars 2020 / indeksADMonline

Driton Kuka, bën thirrje të merren masa parandaluese ndaj koronavirusit

Trajneri i famshëm i xhudos, Driton Kuka, u ka bërë thirrje autoriteteve përgjegjëse në Kosovë t’i marrin të gjitha masat e mundshme parandaluese ndaj koronavirusit para se të shfaqet rasti i parë.

Të martën u mor vendimi për suspendimin e turneut të parë në Kosovë, shkaku i përhapjes së koronavirusit. Bëhet fjalë për turneun e basketbollit për gjeneratat e reja, turne i organizuar nga FIBA, ku do të merrnin pjesë edhe disa ekipe kombëtare të tjera.

Megjithatë, garat e tjera në Kosovë po vazhdojnë si zakonisht, pasi që ende nuk është identifikuar asnjë rast i prekur nga koronavirusi – për dallim nga vendet e tjera evropiane, ku garat janë anuluar e shumë evente është vendosur të zhvillohen pa praninë e tifozëve.

“Federata Botërore dhe Evropiane e xhudos kanë suspenduar çdo aktivitet deri në fillim të majit! Masë kjo e marrë për t’u mbrojtur nga infeksioni i virusit”, ka shkruar Kuka në llogarinë e tij në Facebook, transmeton Expresi.

“Në kontakt me miq nga mbarë bota, sidomos me sportistë e trajnerë nga Italia, të gjithë ata për ne kanë një porosi, të mos e nënçmojmë koronavirusin!”

“Minimumi që do duhej që Kosova në ketë moment ta ndërmarrë është që çdo njeri që hyn në Kosovë të vetë karantinohet për dy javë, duke ndjekur udhëzimet e duhura si të sillet gjatë kësaj kohe!”

“Kosova deri tashti për fat të mirë s’ka ende raste, por pse të mos mbesim të tillë edhe më tej!
Shqipëria u mobilizua pas rasteve të shfaqura, e ne të mobilizohemi para se të ndodhin!”.