10:52 / E Mërkurë, 14 Prill 2021 / k.v

Driton Podrimqaku kërkohet nga policia për fajde dhe sulm ndaj policit

Driton (Muharrem) Podrimqaku, (42-vjeç), nga Novosella e Pejës që nga mbrëmja e së martës është shpallur publikisht person në kërkim nga autoritetet e rendit, raporton IndeksOnline.

Policia dyshon se Podrimqaku është fajdexhi dhe mbrëmë derisa policia ka tentuar ta arrestoi atë, i njëjti me veturën e tij ka goditur një pjesëtar të Policisë së Kosovës duke i shkaktuar lëndime trupore.

Policia në raportin e sotëm dërguar mediave ka njoftuar se rasti i sulmit ndaj policisë ka ndodhur të martën rreth orës 18:00 në Vitomericë të Pejës.

“Gjatë veprimeve hetimore policia në teren, kanë operuar me qëllim të sigurimit të provave materiale për arrestimin e një të dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari me automjetin e tij nis vrullshëm në drejtim të dy zyrtarëve policor dhe e godet me automjet njërin prej zyrtarëve policor duke i shkaktuar lëndime trupore. Zyrtarit i është ofruar tretman mjekësor. Nga ana e policisë është bëre bastisja e shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të personit të dyshuar dhe gjatë kontrollit është gjetur dhe konfiskuar një pushkë e gjuetisë, 15 copë fishekë dhe një karikator i zbrazët”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, bazuar në ligj për publikimin e fotos me shënime tjera të personit të kërkuar më autorizim të Prokurorisë Themelore nё Pejё, me qëllim lokalizimin dhe rrjedhimisht arrestimin e tij, lëshon: Kërkesë për bashkëpunim me qytetarët.

Personi i kërkuar është: DRITON (Muharrem) PODRIMQAKU i lindur me 20.04.1979 nё fshatin Novosellë- Pejë. I dyshuari është i kërkuar për veprën penale: “Sulm ndaj personit zyrtar”, “Fajde” dhe “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.

I dyshuari posedon veturën e tipit “Tiguan” ngjyra e hirit me targa 03-990-GB.

Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, çdo të Premte do të publikojë nga një ose më shumë persona në kërkim, për të cilët kërkohet ndihma e qytetarëve me qellim, sjelljen e tyre para drejtësisë.

Numrat e telefonit dhe adresat elektronike kontaktuese për të kontaktuar Policinë e Kosovës: 192 dhe 080019999 (pa pagesë), 039 432 327- Drejtoria Rajonale Pejë ose e-mail adresa: info@kosovopolice.com.

IndeksOnline mbrëmë ka raportuar ekskluzivisht për sulmin ndaj policit dhe për shpallen në kërkim të Podrimqakut./IndeksOnline/