Droni i policisë zbulon drogën e mbjellë afër Shkodrës

Policia e Shqipërisë ka njoftuar se është finalizuar operacioni policor antikanabis i koduar “Ashta”, i zhvilluar në Vau i Dejës, afër Shkodrës.
Si rezultat i kontrolleve me dron, është zbuluar një ambient i hapur ku ishin mbjellë në kubikë, 500 fidanë narkotikë, të cilët u asgjësuan me anë të djegies.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Shkodër, si rezultat i kontrolleve me dron, të zhvilluara në kuadër të operacionit policor të koduar “Ashta”, kanë konstatuar në fshatin Ashtë, Shkodër, përgjatë bregut të lumit Drin, një ambient të hapur (pronë publike), ku ishin mbjellë në kubikë, rreth 500 fidanë të dyshuar narkotikë kanabis sativa”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit, transmeton IndeksOnline.
Një pjesë e vogël e fidanëve u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua me anë të djegies.
“Strukturat hetimore të DVP Shkodër dhe ato të komisariateve në varësi, vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorit/ëve të kësaj veprimtarie kriminale”, thuhet në njoftim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./IndeksOnline/