22:47 / E Diele, 06 Gusht 2023 / AR

Droni ukrainas e hodhi në erë, dalin pamjet satelitore të anijes së shkatërruar ruse

Propaganda e Moskës për të fshehur nga sytë e publikut hedhjen në erë nga Ukraina falë një droni kamikaz të anijes “Olenegorsky Gornyak”, ka marrë të dielën goditjen finale pas publikimit të imazheve satelitore që provojnë dëmet në mjetin lundrues.

Fotot e reja satelitore tregojnë gjendjen e anijes “Olenegorsky Gornyak”. Në to shihet një vinç lundrues, një varkë shpëtimi emergjence dhe dy varka zhytjeje, të cilat janë afruar dhe mbajnë në ekuilibër anijen, e cila u anua pas shpërthimit.

Anija e prodhuar 43 vite më parë i përket Flotës Veriore të Marinës Ruse dhe tashmë ndodhet “e parkuar” në portin e Novorossiysk.

Sipas informacioneve ajo mund të transportojë 450 tonë ngarkesë, si dhe 25 transportues të blinduar të personelit.

Kohët e fundit, anija ishte përdorur gjerësisht në Detin e Zi për të transportuar automjete civile dhe mallra në drejtim të Krimesë dhe anasjelltas.

Anija sulmuese-amfibe ruse u hodh në erë nga një dron detar i ngarkuar me 450 kilogramë eksploziv TNT dhe besohet se në momentin e sulmit kishte rreth 100 ushtarakë rusë në bord.