Drosopulos: Nepotizmi pamundëson luftimin e krimit dhe korrupsionit në Kosovë

Forumi Ballkanik në emër të Platformës së Shoqërisë Civile për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut, ka publikuar raportin hulumtues që është një vështrim mbi progresin e bërë nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor drejt zbatimit të zotimeve të tyre që nga Samiti i Ballkanit Perëndimor në Londër dhe Poznan, të zhvilluara në kuadër të Procesit të Berlinit, të nisur në vitin 2014.
Hartuesja e projektit “Progresi i Berlinit”, Meri Drosopulos ka thënë se Procesi i Berlinit ka arritur ta kthejë vëmendjen e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor dhe të krijojë një ambient ku në kushte të barabarta liderët e BE-së ose vendeve anëtare, të bisedojnë një platformë të përbashkët.
“Kjo ka vendosur rajonin në një pozitë qëndrueshme sa i përket infrastrukturës së Bashkimit Evropian edhe e ka vendosur theksin tek angazhimi qytetar dhe shoqërisë civile, si dhe ka arritur të bashkojë shoqërinë civile kudo që ndodhet në Ballkanin Perëndimor për t’i bërë bashkë rreth ideve dhe qëllimeve të përbashkëta, por edhe të nënvizojë rolin e të rinjve dhe shoqërisë civile, ose publikut në procesin e Berlinit”, ka thënë ajo.
E pyetur se çfarë ka bërë Kosova për luftimin e krimit dhe korrupsionit, autorja e këtij raporti, ka thënë se nepotizmi dhe klientelizmi e kanë pamundësuar luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Në kuptimin e luftimit të korrupsionit, që është një e gjetur kryesore, është që mentaliteti i vjetër dhe mungesa e mekanizmave dhe krijimi i klientelizmit që kanë njerëzit dhe mundohen t’i zgjedhin gjërat në bazë të njohjes dhe nepotizmit, e kanë pamundësuar luftimin efektiv të krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka theksuar ajo
Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Forumit Ballkanit, Astrit Istrefi ka thënë se ky hulumtim është marrë si aktivitet që është ndërmarrë si platformë e shoqërisë civile për demokraci dhe të drejta të njeriut. Ai ka thënë se kjo platformë është themeluar në vitin 2018, pak ditë para Samitit të Londrës në vitin 2018.
Ky hulumtim është bërë edhe me pikëpamjet e 20 personave, politikanë, njerëz edhe prej qeverive të vendeve të rajonit, por edhe prej qeverive që e kanë bërë organizimin e procesit të Berlinit, si dhe persona që i kanë përfaqësuar organizatat joqeveritare, por edhe ekspertë.